Projektbuxheti kaloi mes tymuesve, Berisha: Do ta vijojmë aksionin edhe sikur të mbetet 1 deputet yni në Parlament

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2023, 12:48 | Politikë

Edhe këtë të enjte, opozita e cila është zotuar që të paralizojë jetën parlamentare derisa t’i plotësohen kërkesat, ia doli që të kthente në kaos seancën plenare gjatë së cilës do të miratohej nen për nen projektbuxheti për 2024.

Në një konferencë për mediat, kreu i Rithemelimit, i cili bashkë me gjashtë deputetë të tjerë janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit, u zotua se aksioni i opozitës do të vijojë edhe sikur në sallë të mbetet vetëm një deputet i grupimit të tij.

Beteja pa kthim është beteja pa kthim. Gjithnjë e më shumë po zien Shqipëria kundër këtij regjimi.

“Dhe ne gjithmonë e më shumë po u dëshmojmë shqiptarëve, fytyrën e vërtetë. Por unë ftoj sot çdo prind, ftoj çdo nënë, çdo baba që çon fëmijët në shkollë, por edhe çdo shqiptar atdhetar që beson se ky vend zhvillohet nëpërmjet dijes, aftësimit të fëmijëve të këtij vendi, të shohë këtë tabelë, se ku e ka katandisur shkollën dhe arsimin, regjimi i drogës, vjedhjes dhe krimit të Edi Ramës”, deklaroi Berisha.

I pyetur se kur mund të arrijë një pik kulmore aksioni i nisur prej gati dy muaj në parlament, kreu i Rithemelimit tha se kjo do të caktohet nga qytetarët.

“Nuk e kam të përcaktuar se cila është dita. Do të jenë qytetarët që do ta caktojnë, por ajo do të ndodhë. Opozita qëndron e pamposhtur në mosbindjen civile.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos