Mes kaosit të flakadanëve dhe karrigeve mbi foltore, Kuvendi ka kaluar në vetëm 7 minuta paketën fiskale dhe votimin nen për nen të buxhetit. Buxheti u miratua me 74 vota pro, ndërsa katër deputetët e Lulzim Bashës, Açka, Bakiu, Jakupllari, Ulliri votuan kundër.
Deputetët e PD-së u futën herët, këtë të enjte, në sallën e Kuvendit dhe janë përplasur me oficerët e Gardës. Kjo situatë në sallën e Kuvendit po ndodh prej javësh, teksa përfaqësuesit e Partisë Demokratike vendosin karriget mbi njëra-tjetrën pranë foltores, kanë ndezur flakadanë e zjarr brenda sallës.
Ndërkohë, Salianji foli jashtë sallës së Kuvendit duke thënë se paketa fiskale do të godasë shtresën e mesme. “Për herë të parë goditet shtresa e mesme, e cila do të taksohen me 23 për qind, mjekët, stomatologët. E ka djegur kushtetutën. Po funksionojnë në kushtet e një junte. Duket qartësisht që nuk po bashkëjetohet në mënyrë demokratike. E patë sot se si në mënyrë tinzare dhe me vrap u miratua buxheti që për herë të parë godet shtresën e mesme”, tha Salianji.
Pas ngjarjeve të seancës së kaluar, Gazment Bardh, është i përjashtuar për seancën e sotme, ndërsa reagoi në rrjetet sociale. Ai shkruan në Twitter. “Ky nuk është më Parlamenti i përfaqësuesve të qytetarëve, por salla e Gardës së Republikës! Ora 09:00, asnjë deputet në sallë, por salla e seancave plenare ka plot 43 punonjës të Gardës së Republikës brenda”, shkruan Gazment Bardhi.
Ndërkohë, edhe Sali Berisha i përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ka reaguar në rrjetet sociale. Ai ka postuar një foto të sallës së parlamentit dhe bashkëngjitur saj shkruan: “Mirëmëngjesi miq, ky është parlamenti i Edi Ramës sot në mëngjes!”. (A2 Televizion)