Deputetët e Partisë Demokratike janë futur herët, këtë të enjte, në sallën e Kuvendit dhe janë përplasur me oficerët e Gardës.
Në seancën e sotme në Kuvend pritet të kalojë nen për nen buxheti. Kjo situatë në sallën e Kuvendit po ndodh prej javësh, teksa përfaqësuesit e Partisë Demokratike vendosin karriget mbi njëra-tjetrën pranë foltores, kanë ndezur flakadanë e zjarr brenda sallës.
Ndërkohë, drejtuesja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e ka mbyllur seancën duke kaluar në kohë rekord projektligjet që kanë qenë për t’u votuar.
Pas ngjarjeve të seancës së kaluar, Gazment Bardhi, është i përjashtuar për seancën e sotme, ndërsa reagoi në rrjetet sociale. Ai shkruan në Twitter.
“Ky nuk është më Parlamenti i përfaqësuesve të qytetarëve, por salla e Gardës së Republikës! Ora 09:00, asnjë deputet në sallë, por salla e seancave plenare ka plot 43 punonjës të Gardës së Republikës brenda”, shkruan Gazment Bardhi.
Ndërkohë, edhe Sali Berisha i përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ka reaguar në rrjetet sociale. Ai ka postuar një foto të sallës së parlamentit dhe bashkëngjitur saj shkruan: “Mirëmëngjesi miq, ky është parlamenti i Edi Ramës sot në mëngjes!”.
Mirëmëngjes miq, ky është parlamenti i Edi Ramës sot në mëngjes! #sb pic.twitter.com/1yDPmUz1M3
— Sali Berisha (@sali_berisha_) December 7, 2023
(A2 Televizion)