“Prezumimi i pafajësisë nuk ekziston në këtë vend. Dosjen e AKSHI-t e kam lexuar, 206 faqe, por këto janë populizma nëse do flas. Pa parë provat, unë nuk flas. Nuk mund të them unë “llahtar” sepse jam profesionist, jam avokat. Gazetarëve u duhet sepse kanë interesat e tyre, por unë nuk mund të flas pa parë prova fare”.
Kështu u shpreh Kujtim Cakrani, avokati i Ilir Metës, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Nuk kam parë unë të shqetësoheni nëse gjykatat në Shqipëri bëjnë gjykim të drejtë mbi provat ose jo, a bazohen në prova, a japin vendime profesionale… Nuk kam dëgjuar të flitet për të paraburgosurit. Unë e kam thënë gjithmonë: të hetohet Ilir Meta, Sali Berisha, Erjon Veliaj, Belinda Balluku… por ka masa sigurie të tjera. Ta burgosësh tjetrin dhe ta mbash në paraburgim sa të mbledhësh ndonjë provë, kjo nuk është më drejtësi. Quhet persekutim. Kjo mënyrë sjelljeje ndaj politikanëve ka nisur që në vitin 1945 në këtë vend. I fusnin në burg, i anatemonin, ia hidhnin popullit ushqim dhe lëre pastaj. Ja, kjo ka qenë historia e Shqipërisë”, shtoi avokati i Ilir Metës. (A2 Televizion)