Balluku voton në Fier: Sjellje shembullore e kandidatëve të PS, pala tjetër ka dhunuar kodin zgjedhor

Nga A2 CNN
11 Maj 2025, 14:30 | Politikë

Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka akuzuar kandidatët për deputetë dhe përfaqësuesit e opozitës se kanë dhunuar kodin zgjedhor në Fier, por edhe qytete e rrethe të tjerë të vendit.

Pasi votoi në Fier, ku është edhe drejtuese politike e PS, Balluku falënderoi kandidatët e forcës së saj politike për sjelljen e tyre.

“Nuk ka qenë një proces shumë i qetë në Qarkun e Fierit, pavarësisht se PS ka bërë më të mirën për të respektuar dhe për të mos thyer në asnjë moment kodin zgjedhor. Dua të përgëzoj të gjithë kandidatët e listës së PS për sjelljen shembullore që kanë pasur gjatë ditës së sotme dhe që do të kenë deri në fund të këtij procesi, gjë e cila nuk është respektuar nga kandidatët e partive të tjera”, tha ajo.

Balluku paralajmëroi kallëzime për përfaqësuesit e opozitës që kanë shkelur ligjin. “Ne flasim me fakte, prova. I keni parë nëpër ekrane se si kandidatët për deputet të listës së PD kanë dhunuar gjithçka nga kodi zgjedhor. Jo vetëm në Fier, por edhe në zona të tjera, janë futur në qendrat e votimit, kanë bërë presion mbi komisionerët. Ne do të bëjmë atë që parashikon ligji, janë kallëzime që bëhen nga skuadra ligjore e PS këtu në Fier”, u shpreh ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos