Bardhi akuzon Peleshin: Kuvendi bunker, PD kërkon mbledhjen e këshillit të mandateve, gjen derën mbyllur

Nga Ervin Koçi
26 Dhjetor 2025, 15:51 | Politikë

Maxhoranca nuk iu përgjigj as ftesës së dytë të demokratëve për të zhvilluar mbledhjen e Këshillit të Mandateve me rend dite, autorizimin e SPAK për heqjen e imunitetit për Belinda Ballukut. Në vend të pjesëmarrjes, socialistët kishin zgjedhur të mos paraqiteshin referuar edhe VKM-së së qeverisë që e konsideroi këtë të premte ditë pushimi për administratën publike.

E premtja ishte pushim zyrtar për Niko Peleshin, ndaj demokratëve që kërkonin mbledhjen e Këshillit të Mandateve u kishte lënë godinën bosh. Kjo qasje e mazhorancës irritoi pesë anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve, të cilët dolën përpara kamerave duke akuzuar kryeparlamentarin për bunkerizim të institucionit.

"Jo vetëm ka mbyllur çdo sallë mbledhjeje në Kryesinë e Kuvendit, por pengoi deputetët e opozitës që në sallën e tyre të grupit të kishin mundësi të komunikonin me mediat. Kjo godinë, nga goditja e Kryesisë së Kuvendit, po kthehet në bunkerin e Belinda Ballukut", tha Bardhi.

Krahas akteve, kryeparlamentari kishte përdorur edhe fjalë në letër për t’i thënë PD-së se pa u shprehur Kushtetuesja, nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e Këshillit.

"Z.Peleshi na thotë se e pandehura Belinda Balluku ka kërkuar 3 javë kohë dhe është i vendosur për t'i garantuar të drejtën e mbrojtjes. Imagjinoni një person ndaj të cilit kërkohet arrestimi dhe të thotë: 'bëjeni shpejt se dua të shkoj në burg'. Çdo i pandehur, çdo kriminel kërkon të zvarrisë drejtësinë", vijoi kreu i grupit demokrat.

Përballë kësaj qasjeje, çfarë do të bëjnë demokratët? "Hapa ligjorë. Të shkojmë të shpërthejmë sallën e mbledhjeve apo të marrim peng Niko Peleshin e ta sjellim me forcë, nuk e bëjmë dot." (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos