Bardhi ndryshe nga Berisha: Rama po shqetësohet se në Shqipëri ka gjyqtarë që arrestojnë pa lejen e tij

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2025, 18:03 | Politikë

Ndryshe nga Sali Berisha që arrestimin e Erion Veliajt e konsideron si kurban të Edi Ramës për të shpëtuar Olsi Ramën, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, shprehet se kreu i Bashkisë së Tiranës u prangos për shkak të drejtësisë së pavarur.

Sipas Bardhit edhe retorika e Ramës kundër SPAK vjen për shkak se kreu i qeverisë, e ka kuptuar se do të ketë fatin e Erion Veliajt.

“Edi Rama po shqetësohet sepse po kupton atë që kam thënë gjithmonë, që nga dita e parë e ngritjes së strukturave të posaçme, se në Shqipëri ka prokurorë dhe gjyqtarë që arrestojnë edhe pa lejen e Edi Ramës, apo se ka prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm, të pavarur dhe me integritet që e kanë seriozisht luftën ndaj korrupsionit”, shprehet Bardhi.

Në një shënim në mediat sociale, nënkryetari i Partisë Demokratike, pohon se pavarësia e SPAK është ajo për të cilën kanë nevojë qytetarët.

“Edi Rama do të kishte nevojë për prokurorë e gjyqtarë që i shantazhon, i kërcënon dhe që i japin certifikatë ndershmërie pa asnjë hetim Ols Ramës, që nuk luftojnë korrupsionin real që po i merr frymën Shqipërisë, apo që marrin urdhra nga zyrat e PS. Por, për shqiptarët është shumë herë më mirë që të shohin Edi Ramën që i merret fryma, ulëret, kërcet dhëmbët e plakura, sesa të vijojmë me të korruptuarit që i kanë marrë frymën Shqipërisë në 12 vjet”, tha Bardhi.

Një konsideratë ka dhe për Erion Veliajn, për të cilin thotë se ka qenë dhe mbetet simbol i korrupsionit në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos