Mbledhjen e Edi Ramës me deputetët socialistë, Sali Berisha e krahasoi me takimet e Byrosë Politike të Ramiz Alisë në fund të pushtetit komunist, ku siç tha drejtësia po i dilte nga duart.
Pohimet e kreut të qeverisë kundër Prokurorisë së Posacme, lideri i opozitës i quan si justifikime, pasi sipas tij Erion Veliaj është bërë kurban për të shpëtuar Olsi Ramën.
“Donte me çdo kusht të mbulonte pazarin që kishte bërë me Altin Dumanin, shkëmbimin e Erion Veliajt me Olsi Ramën. Besoj se nuk mbeti njeri pa e kuptuar që Erion Veliaj ishte çmimi që u pagua për Olsin”.
Kur u pyet nëse do të bashkojë votat me Partinë Socialiste për të ndryshuar Reformën në Drejtësi, mohoi një veprim të tillë, por shtoi se rikonceptimi do të bëhet vetëm nga Partia Demokratike kur të vijë në pushtet.
“Nuk bashkoj votat kurrë me një organizatë kriminale në pushtet. Jo. Kam deklaruar, shqiptarët do votojnë PD dhe qeveria e saj do angazhojë institucionet më serioze në botë, më të aftë që është Komisioni i Venecias”.
Tjetër qasje ka për Kodin Zgjedhor. Pas ultimatumeve në dy javët e fundit se nuk të jepte asnjë votë për ndryshimet e kërkuara nga socialistët, Berisha bëri një ndryshim kursi 180 gradë, duke pohuar se demokratët do të miratojnë të gjitha amendamentet për Diasporën.
“Nesër do votohen se ka dy momente që dëmtojnë palcërisht procesin nëse nuk votohen. Ne nuk bëhemi shkak që vota e diasporës të hidhen në kosh. Cilat janë këto momente? Një moment është të gjithë ata që kanë aplikuar duhet të marrin me zarf fletën e votimit, por të paketosh 200 mijë zarfa e do një kohë apo jo”.
Duke u kthyer se mesazhet e Kryeministrit para deputetëve socialistë, lideri i opozitës zbuloi se kush fshihet sipas tij pas dërgimit të informacioneve nën petkun e qytetarit dixhital në telefonin e Edi Ramës.
“Qytetari dixhital e morët vesh kush ishte. Ulsi Manja dhe Irena Gjoka. Ata ishin, ata do nxjerrin një dëshmitar për të përgënjeshtruar mua”.
Një thirrje pati dhe për mbështetësit e Erion Veliajt që tubuan në dyert e SPAK, duke i paralajmëruar se nëse kjo ndodh sërish në orar pune do identifikohen dhe do të rrezikojnë që të mos punojnë më në shtet për 25 vite. (A2 Televizion)