Barjamemaj: PD mund të ketë deri në 6 nënkryetarë, pritet riformatimi i kryesisë

Nga A2 CNN
1 Qershor 2026, 22:28 | Politikë

Barjamemaj: PD mund të ketë deri në 6 nënkryetarë,

Gazetari i A2 CNN, Anesti Barjamemaj, i ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, ka zbuluar detaje nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike dhe zhvillimet e pritshme në strukturat drejtuese të kësaj force politike.

Sipas Barjamemajt, lista e re e Këshillit Kombëtar nuk solli aq shumë ripërtëritje sa rikthime të figurave të njohura të Partisë Demokratike.

Ai theksoi se në përbërjen e re janë rikthyer ish-deputetë, ish-drejtues të administratës dhe zyrtarë që kanë shërbyer gjatë qeverisjes së demokratëve.

“Nuk është se prodhon një gjë të madhe. Pritej më shumë, por nga ajo që pamë në listën e Këshillit Kombëtar dhe më pas në listën fituese, kishte më shumë rikthime sesa ripërtëritje. Një pjesë e ish-deputetëve tashmë janë pjesë e Këshillit Kombëtar, po ashtu edhe ish-drejtorë e zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës kur PD ka qenë në pushtet”, tha ai.

Barjamemaj shtoi se vëmendja tashmë është zhvendosur te kryesia e Partisë Demokratike, e cila pritet të riformatohet brenda kësaj jave. Këshilli Kombëtar do të mblidhet për konstituimin dhe zgjedhjen e drejtuesve të rinj të forumeve.

Sipas tij, mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime në postin e sekretarit të përgjithshëm, aktualisht i mbajtur nga Flamur Noka, si dhe në numrin e nënkryetarëve të partisë.

Do të shohim se çfarë do të ndryshojë zoti Berisha në kryesinë e vogël. Nëse do të jetë më Flamur Noka sekretar i përgjithshëm apo jo, dhe nëse do të mbeten katër nënkryetarët aktualë apo do të kemi për herë të parë pas shumë vitesh edhe një nënkryetare grua, siç e dikton statuti që 40% e forumeve të kenë përfaqësim të grave”, u shpreh gazetari.

Ai zbuloi gjithashtu se po diskutohet mundësia që Partia Demokratike të ketë deri në gjashtë nënkryetarë, me role të ndara sipas profilit dhe eksperiencës së secilit.

“Parashikohet që të kemi ndoshta edhe gjashtë nënkryetarë, të ndarë sipas pozicioneve dhe background-it që ata kanë. Ka modele të ngjashme edhe te partitë simotra të Partisë Demokratike, të cilat kanë më shumë se gjashtë nënkryetarë, madje në disa raste edhe dhjetë”, tha Barjamemaj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos