Politologu Afrim Krasniqi thekson se kryeministri Edi Rama duhet të fliste para qytetarëve të Shqipërisë, lidhur me projektin e Zvërnecit.
Duke komentuar zhvillimet e fundit në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Krasniqi thekson që hera e fundit kur qytetarët kanë parë një njeri që flet para partisë për hallet e vendit ka qenë 90-ta. Politologu u shpreh se kreu i qeverisë duhet të jepte llogari para Parlamentit.
“Detyra e kryeministrit është të bëjë punën e kryeministrit të Shqipërisë. Pyetja është që si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë nuk ka pranuar t’u flasë qytetarëve dy vjet e gjysmë për atë projekt, por e ka lënë si projekt personal. Si është e mundur që ditën që ai duhet të dilte para qytetarëve shqiptar, u mblodh para partisë. Herën e fundit kur qytetarët shqiptarë kanë parë një njeri që flet para partisë për hallet e vendit ka qenë 90-ta. Në një demokraci që do shkojë në BE, kryeministri del në konferencë shtypi dhe flet para qytetarëve dhe nuk u thotë gjëra që ai dëshiron, por gjërat që i kërkohen për t’u thënë”, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)