Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, komentoi në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN ngjarjen tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, duke bërë një paralelizëm me tensionet brenda vetë Partisë Demokratike.
Sula kujtoi se më 8 janar, gjatë përplasjes mes ish-liderëve të PD-së, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, situata kishte marrë përmasa ekstremisht të rrezikshme:
“Mbajeni mend rastin e 8 janarit. Ajo ishte vetëgjyqësi! Turma u ngrit për të sulmuar turmat e tjera, për të vrarë vëllezër të tjerë. Gati u shqyen njëri-tjetrin. Kjo tregon kulturën dhe edukatën se si situata mund të shpërthejë kur politika i nxit njerëzit të shikojnë njëri-tjetrin si armik”, deklaroi Sula.
Ai shtoi se problemi nuk është individi, por mënyra se si politika ka kapur vendin dhe krijon klimë dhune: “Ky vend është kapur për fyti. Ka edhe qytetarë të pafajshëm, por ka edhe prokurorë dhe gjyqtarë që japin vendime të padrejta për qytetarët. Kjo situatë nuk është rast i izoluar, është pjesë e një modeli më të gjerë”, tha ish-deputeti.
Sula paralajmëroi se klimat e tilla ekstreme, kur individët përdoren si armë politike, kontribuojnë në krizën e besimit te drejtësia dhe rritin rrezikun për ngjarje tragjike si vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja.
“Kur politika ushqen urrejtje dhe frikë, ndodhin gjëra si kjo që pamë këtë të hënë në Gjykatën e Apelit”, tha ai. (A2 Televizion)