“Politika ka goditur gjykatësit”, Dash Sula skanon vrasjen e Astrit Kalasë: Rama e Berisha i kanë sulmuar

Nga A2 CNN
6 Tetor 2025, 21:44 | Politikë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, duke analizuar ngjarjen në një plan më të gjerë që lidhet me presionin politik ndaj sistemit të drejtësisë.

Në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN, Sula u shpreh se humbja e gjyqtarit në krye të detyrës është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë, ndërsa paralajmëroi se politika po ushqen klimën e dhunës dhe mosbesimit ndaj drejtësisë.

“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit që humbi jetën në krye të detyrës. Kjo është një tragjedi e madhe. Por më shqetëson mënyra se si politika mundohet ta kompromentojë ngjarjen, me lot krokodili dhe me fajësime të ndërsjella,” deklaroi Sula.

Sipas tij, ambienti politik në vend është bërë toksik dhe frymëzon sjellje ekstreme: “Për sa kohë që ambienti politik është i kontaminuar, njerëzit me prirje kriminale ose të çrregullta ndihen të frymëzuar për të kryer krime të tilla. Politikanët kanë ushqyer këtë klimë me fjalorin dhe sulmet e tyre ndaj drejtësisë.”

Sula solli edhe një panoramë historike të ndërhyrjeve politike në drejtësi, duke përmendur se të dy kampet politike, si Edi Rama ashtu edhe Sali Berisha, kanë goditur gjyqtarët dhe prokurorët ndër vite.

“Që nga viti 1992 kemi parë prokurorë e gjyqtarë të larguar ose të sulmuar pse nuk ndiqnin urdhrat e politikës. Nuk mund të harrojmë termat si ‘lavire bulevardi’, të përdorur nga politikanë të lartë për të sulmuar drejtësinë. Kjo nuk ndodh në një shtet normal,” tha ai.

Ish-deputeti shtoi se ndërhyrjet e politikës kanë shkatërruar besimin në institucione dhe kanë çuar në korrupsion brenda vetë sistemit të drejtësisë.

“Në periudhën 2007–2012 kemi parë gjyqtarë që paguanin 300 apo 500 mijë euro për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë apo në Kushtetuese. Politika ka përdorur dhe keqpërdorur drejtësinë për interesa të veta dhe të bandave kriminale,” përfundoi Sula. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos