“Një federatë dhe një bashkëpunim është i domosdoshëm për të prodhuar energjinë e nevojshme për largimin e kësaj qeverisje të korruptuar e inkriminuar deri në palcë, por kjo fillon duke lënë mënjanë interesin personal”. Kështu u përgjigj Lulzim Basha pas propozimeve të aleatëve të PD.
“Asnjëherë ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk kanë ardhur si rezultat i vullnetit të një partie. Ndryshimet në kodin zgjedhor duhet të përfaqësojnë konsensusin më të gjerë. Ne si PD do të imponojmë që asnjë konsensus si ai i 2008 ku numrat ishin dhe ua futën qytetarëve dhe sot paguajmë ndryshimet okulte të 2008”.
Sipas Bashës, vetingu i politikanëve dhe listat e hapura i japin fund një politike të inkriminuar dhe të korruptuar.
“Vetingu i politikanëve i jep fund debatit kush është i korruptuar dhe kush jo, kush është i lidhur me krimin dhe kush jo. PD ka marrë vendime të qarta politike i ka konfirmuar në kuvendin e 2 shtatorit, ajo që njerëzit presin nga ne jo të gjejnë punë, si deputetë në zgjedhjet e ardhshme, ajo që na bashkon është interesi i qytetarëve ata meritojnë një politikë të pastër nga krimi e korrupsioni. Listat e hapura mundësojnë këtë. Qytetarët meritojnë që emigrantët të kenë të drejtën e votës. PD e ka të qartë platformën me qytetarët dhe kushdo që nuk vendos interesin personal të parin është i mirëpritur të bëjë pjesë. Komisioni i reformës zgjedhore ka bashkëkryetarin e PD të zgjedhur prej kohësh. PD nuk bën llogari kungulleshkash, prandaj PD kërkon lista të hapura, që mos ketë deputetë me 300 vota në parlament dhe kandidatë me 4-5 mijë vota që mbeten jashtë listës. Listat e hapura ndajnë shapin nga sheqeri. Deputetët që duan t’u shërbejnë qytetarëve janë të ftuar të mbështesin propozimet e PD. Lista të hapura dhe Shqipëria zonë elektorale për barazinë e votës”. (A2 Televizion)