Me të mbërritur në mbledhjen e Komunitetit Politik Europian në Danimarkë, Kryeministri i Shqipërisë është pyetur nga gazetarët e huaj se si mund të luftojë korrupsionin një ministre e inteligjencës artificiale, që është në përgjegjësinë dhe kontrollin e drejtpërdrejtë të tij. Fillimisht Edi Rama u mundua ta kalonte me batuta, por më pas shpjegoi se DIELLA e tij është më e mirë se sa kritikat ndaj saj.
“Kontrollin tim, që do të thotë që unë jam më i zgjuar se algoritmet. Nuk mendoj kështu. Dëgjo, kjo është diçka e re dhe si çdo risi, i duhet të përballet dhe me kritika që është gjë emirë, por kemi prova deri më tani që funksion dhe funksionon shkëlqyer. Nisi si asistente virtuale për shërbimet publike për qytetarët. Së dyti, po punon për transpozimin e legjislacionit të Bashkimit Europian me legjislacionin tonë në kuadër të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me BE dhe së treti, po përparon për të punuar me tenderët publikë që është ende punë në vazhdim. Kritikat janë të mira po ajo është më e mirë”, tha Rama.
Në Kopenhagen gazetarët nuk e fshehën skepticizmin duke i rikujtuar shefit të qeverisë shqiptare sulmet kibernetike që kanë goditur institucionet shqiptare, duke nxjerrë në publik të dhëna të shumta sensitive të shtetit dhe qytetarëve.
“Kemi qenë objekt sulmi kibernetik, por sot kemi një nga mbrojtjet më të forta kibernetike në Europë. Ne vazhdojmë të jemi objekt i këtyre sulmeve kibernetike të Iranit dhe jemi tërë kohën duke luftuar që të mos lejojmë shkelje të sigurisë sonë”, vijoi kreu i qeverisë.
Për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Rama e sheh veten shumë shpejt si anëtar të Unionit, në qoftë se sipas tij kjo do të varej vetëm nga detyrat e shtëpisë.
“Ne nuk po presim, ne po vrapojmë. Po vrapojmë shumë shpejt. Ne do të jemi gati shumë shpejt dhe ju takon të mëdhenjve në sallë të mos presin më, por të na përqafojnë dhe të na mirëpresin sepse do të jemi një vlerë shumë e madhe e shtuar për BE”, theksoi Rama.
Pavarësisht problemeve të shumta të brendshme politike, Kryeministri Shqiptar mendon se BE ka shumë për të mësua nga Shqipëria, të paktën për të vepruar si një e tërë duke sjellë projekte paqeje dhe jo vetëm duke u armatosur. (A2 Televizion)