Kryeministri Edi Rama nuk i ka shpëtuar pyetjeve për ministren e parë me inteligjencë artificiale, Diella, të cilën e bëri pjesë të kabinetit të tij qeveritar, teksa po merr pjesë në samitin e shtatë të Komunitetit Politik Europian në Danimarkë.
Rama u shpreh se Diella po funksionon dhe duket se po e kryen punën siç duhet, pasi ka marrë edhe kritika.
“Sa i përket ministrit AI, kjo është diçka e re, dhe si gjithçka e re duhet të përballet edhe me kritika që është diçka pozitive, por kemi vërtetuar deri më tani se ka funksionuar. Ka nisur si asistent virtual për shërbimet publike për qytetarët dhe ka ndërvepruar me rreth 1 milion njerëz dhe ka lëshuar 36 mijë dokumente deri më tani me vulë digjitale të cilën askush nuk e ka kontestuar. Së dyti, po punon për transferimin e legjislacionit europian në legjislacionin tonë për të ndjekur bisedimet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe së treti, tani po trajton tenderat publike që është një punë në progres, pra kritikat janë të mira, por ajo është më e mirë”, tha kreu i qeverisë.
(A2 Televizion)