Gjatë diskutimeve në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN, për emrat që janë negociuar mes Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare, për kandidatin për Bashkinë e Tiranës, Lisandër Hoxha tha se nuk mund të vendosen kushte të tilla si: “Nuk dua kandidat nga partia jote”.
Ai deklaroi se PD nuk është përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, por normalisht duhet të mbajë përgjegjësi për mënyrën si po shkon drejt votimeve për 6 bashki në 9 nëntor.
“Kushtet që PD po hyn në këto zgjedhje, janë të ndryshme nga ato që unë ia kam kërkuar publikisht partisë sime. Dhe rezultati nuk dihet sesi do jetë por besoj do ishte më i mirë nëse ne do ishim fuqizuar gjatë gjithë verës deri në shtator me një rrugë politike joradikale por që kap thelbin e demokracisë: ‘Populli në rrugë, hajduti i zgjedhjeve në shtëpi’”, tha Hoxha në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN.
Ai po ashtu deklaroi se në kryeqytet nuk ka mbështetje për Edi Ramën, por ai rrezikon ta fitojë garën e Tiranës përmes makinacioneve politike.
“E rëndësishme është që në Tiranë dhe në Shqipëri nuk ka mbështetje politike për Ramën. Rama ka korruptuar sistemin, ka gjetur mercenarë politik që i shërben fshehtazi. Nëse përfaqësuesit e PD i rrinë koherencës dhe moralit politik, të garantoj që qytetarët i mbështesin”, u shpreh Lisandër Hoxha në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike po ashtu theksoi se është koha që opozita të ripërtërijë veten dhe kapërcejë disfatat, duke prezantuar ofertë dhe kandidatë të denjë te qytetarët.
“Partitë politike sidomos në kushtet ku ndodhet Shqiupëria nëse nuk ofrojnë një zgjidhje, vëri qepenin dhe mirupafshim. Je për të dhënë një zgjidhjet në kushtet ku ndodhet vendi, jo për të thënë si e vodhi Rama këtë. Meqenëse këto parti janë në demokraci dhe dënohen nga qytetari me votë kur gabojnë, a kanë të drejtën të ripërtërijnë vetveten? E kanë. E kanë të drejtën morale të ekzistojnë. Edhe ato që kanë qeverisur ndoshta jo mirë dhe kanë ikur nga pushteti sepse s’kanë bërë atë që duhej bërë, kanë të drejtën të ekzistojnë dhe ofrojnë oferta më të mira, njerëz më të mirë”, deklaroi Lisandër Hoxha në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN. (A2 Televizion)