
Avokati Eugen Beçi, ish-drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se “ekspertët e Reformës në Drejtësi janë “fshehur” në Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë”.
“Politika ka faj për këtë Reformë në Drejtësi, nga fillimi në fund. Sepse bëri një vetting të pallogaritur mirë. Ekspertëve u erdhën natën të gjitha dokumentet në gjuhën angleze dhe vetëm i përkthyen e i botuan në mëngjes. Nëse ke bërë vetting dhe të gjithë prokurorët e gjyqtarët, për shkak të vetting-ut i futën njerëzit në burg, sepse kriteri ishte “mos nxirr njeri nga burgu”. A u hoq ndonjë nga puna se mbajti dikë kot në burg? Nëse do ndodhte kjo, atëherë do të thoja që kriteret ishin të studiuara mirë nga ekspertët. Të gjithë ekspertët kanë marrë nga një vend pune dhe janë rehat sot”, tha Beçi.
“Ekspertët e nivelit të lartë që kanë bërë reformën janë fshehur në Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese. Në rast se ishte kjo shkencë kaq e madhe, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk e pranuan. Nëse kemi deputetë që votojnë symbyllur dhe besojnë tek ekspertët, le të vazhdojnë atëherë”, shtoi avokati. (A2 Televizion)