Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nisi sot vizitën shtetërore në Letoni. Riga ishte ndalesa e parë në Republikat Baltike. Kjo është dhe vizita e parë shtetërore e një Presidenti të Shqipërisë që ndërmerret në tre vendet baltike: Letoni, Estoni dhe Lituani.
Në pritjen e organizuar për nder të Presidentit të Shqipërisë, merrnin pjesë Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, Kryetarja e Parlamentit, Daiga Mieria, Kryeministrja, Evika Siliņa, si dhe përfaqësues të tjerë të shtetit dhe qeverisë letoneze.
Presidenti i Republikës zhvilloi fillimisht një takim kokë më kokë me homologun e tij Rinkēvičs, të cilin e falënderoi për pritjen, duke e cilësuar si një moment për të forcuar dialogun politik të shkëlqyer mes dy vendeve mike që ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështjet rajonale dhe globale. Presidenti Begaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, raporton A2 CNN.
Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, Presidentët e dy shteteve biseduam për rritjen dhe zgjerimin e tyre, duke përfshirë investimet direkte, turizmin, shkëmbimet tregtare, arsimin dhe kërkimin shkencor.
Në këtë aspekt, u propozua vendosja e një linje ajrore direkte të përhershme, e cila do të sjellë afrimin mes dy vendeve, rritjen e fluksit të shkëmbimeve dhe të turizmit.
Ndërsa vlerësoi mbështetjen e Letonisë përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Presidenti i Republikës u shpreh se me përparimin e jashtëzakonshëm në përafrimin me standardet e BE-së, Shqipëria shpreson për një rrugë të qartë dhe të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në Union.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u konsiderua në takim si një rrugëzgjidhje përballë influencave të palëve të treta të shtuara me agresionin Rus në Ukrainë dhe si një mundësi për të nxitur stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Letonisë për kontributin në rajon, duke theksuar praninë e trupave në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen ndaj Kosovës për integrimin Euroatlantik.
Në takim u bisedua për sfidat e reja me të cilat Shqipëria dhe Letonia përballen si aleate në NATO dhe në këtë aspekt u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. “Shqipëria, - u shpreh Presidenti Begaj, - mbetet në solidaritet me Letoninë me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Adazi.
“Si aleatë të NATO-s, Shqipëria dhe Letonia bashkëpunojnë ngushtë në mbrojtje dhe siguri. Ne përballim sfida të përbashkëta dhe të ngjashme që kërkojnë forcimin e bashkëpunimit tonë në mbrojtjen kolektive dhe aspektet dypalëshe. Jam krenar të theksoj se Shqipëria ka kontribuar me trupa në Brigadën Multinacionale që nga viti 2017. Roli i Letonisë si një vend pritës dhe mbështetja që ofron për trupat kanë qenë jetike për suksesin e kësaj Brigade”, tha Begaj në një konferencë të përbashkët për mediat me homologun letonez, shkruan A2 CNN.
“Gjithashtu vlerësojmë kontributin e Letonisë me trupa në misionin e KFOR- it në Kosovë, duke theksuar se KFOR luan një rol jetik në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kontributi dhe shërbimet e ushtarëve tuaj vlerësohen lart nga ne. Anëtarësimi i Letonisë në BE ka qenë një nga historitë e suksesshme të procesit të integrimit të BE-së, dhe do të doja të shpreh urimet e mia të sinqerta për popullin letonez për arritjen e kësaj pike të rëndësishme”. (A2 Televizion)