Ilir Beqaj është emri më i përmendur gjatë javës që po mbyllim. U prit me shumë interes dëshmia e tij në Komisionin Hetimor, por kjo u bë e pamundur me vullnet apo pa vullnet nga ana socialistëve dhe demokratëve në këtë komision, për këtë foli në Ditarin e Mesditës nga Denisa Pasholli në A2 CNN, kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi.
Vokshi u shpreh se gjithçka ka qenë skenar i Edi Rama, i cili sipas saj u zbulua. Kryetarja e Komisionit tha se mazhoranca kërkonte që kur opozita të largohej, të merrte në pyetje Ilir Beqajn.
“Kur unë mbylla komisionin, plani i tyre ishte që të iknim ne dhe Plarenti, me avokat të njëjtë, të merrte në pyetje Ilir Beqajn”, tha Vokshi në A2.
Më tej, Vokshi akuzoi Gradën dhe Policinë se kanë shkelur ligjin me mënyrën sesi është trajtuar Ilir Beqaj, i cili sipas saj, ka kërcënuar deputetët e opozitës. Madje, Vokshi pretendoi se Beqaj ka futur edhe disa kuti të zeza, ku brenda tyre ka pasur thika e gërshërë, por pa dhënë më shumë detaje.
“Ilir Beqaj tentoi të kërcënonte, por unë nuk u ndjeva e kërcënuar. U bë një show nga ana e Edi Ramës, ishte një skenar dhe më besoni. Për ne të opozitës, Ilir Beqaj ishte një dëshmitar si gjithë të tjerët. Ilir Beqaj ishte dëshmitar special për mazhorancën dhe jo për opozitën dhe skenari për të ishte që të vinte dhe e para të shkelte ligjin me “PoëerPoint” dhe ditën e dytë ka qenë skenari i mazhorancën për të penguar vijimin e hetimit parlamentar. Beqaj për ne ishte vetëm një nga dëshmitarët. Ne ia bëmë të qartë se do të trajtohej i barabartë me të gjithë dëshmitarët e tjerë, që erdhën në të njëjtat kushte si Beqaj. Për dy të tjerët u morën masa që të ishin të izoluar, por për Beqajn nuk ndodhi e njëjta gjë, u shkelën të gjitha, është lejuar të fuste hunj. Ai është lejuar të fusë kuti të zeza të mëdha dhe kemi marrë vesh që ka pasur thika e gërshërë. Ka qenë i lirë të shëtisë në të gjitha ambientet. Është shkelur ligji për Beqajn, ka pasur një trajtim të privilegjuar. Garda dhe policia e kanë lejuar që të futet dhe të kërcënojë deputetët e opozitës”, tha Vokshi në Ditarin e Mesditës nga Denisa Pasholli.
Ndreca në SPAK, Vokshi: E përdorën deri dje, sot ia lëshuan drejtësisë, ka bërë shumë shkelje
Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, është paraqitur këtë të premte në SPAK për të dhënë deklarime në lidhje me çështjen në të cilën është marrë i pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”.
Kjo vjen vetëm një ditë pas përfundimit të komisionit hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, ku ai ishte nënkryetar.
Albana Vokshi, kryetare e këtij komisioni, tha Ditarin e Mesditës në A2 CNN nga Denisa Pasholli, se Ndreca është përdorur dhe tashmë e lëshuar të përballet me shkeljet që ka bërë.
“Vajtja në SPAK e Plarent Ndrecës vetëm një ditë pasi komisionit hetimor i përfundoi afati dëshmon qëllimin e Edi Ramës për ta dështuar këtë komision. E përdorën Plarent Ndrecën, e shpërdoruan në fakt praninë e tij si nënkryetar i komisionit hetimor. Nuk ia arritën dot qëllimit që kishin. Ju zbulua skenari edhe me Ilir Beqajn dhe sot një ditë pas mbylljes së komisionit i thanë: Shko tani se ke ca halle të tjera”, tha Vokshi.
Më tej, Vokshi theksoi se Ndreca ka bërë shumë shkelje dhe tashmë duhet të japë llogari. “Plarent Ndreca nuk ka një hall, por disa halle pasi ka abuzuar në mënyrë të vazhdueshme me të gjitha funksionet e rëndësishme në administratën publike, ka firmosur procedura në shkelje të ligjeve”, tha Vokshi. (A2 Televizion)