Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se biznesi i vogën është gjeneratori kryesor i punësimit në Shqipëri.
Komentet Berisha i bëri përmes një deklarate për mediat në selinë blu, ku tha se sot situata në biznesin e vogël është dëshpëruese, shkruan A2 CNN.
Ai tha gjithashtu se në programin e PD për biznesin e vogël, parashikohet rritja e tavanit për biznesin pa taksa nga 140 mijë euro në 180 mijë euro, gjë që sipas ish-kryeministrit, ishte pritur shumë mirë nga qytetarët.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Në takimin me biznesin e vogël, gjeta aty një situatë dëshpëruese.
Gjeta njerëz të cilët kishin shitjet më minimale.
Gjeta shitës që më informonin se pothuaj nuk shes asgjë.
Gjeta të tjerë që më thanë se më i riu jam unë këtu, nuk ka ët rinj, nuk ka kush blen.
Gjeta biznesmenë, gra dhe burra, me gjoba nga më absurdet të skuadrave plaçkitëse të bashkisë.
Pra, gjeta një situatë të dëshpëruar për këta njerëz.
Por nga ana tjetër konstatova me kënaqësi se programin e PD për biznesin e vogël, domethënë rritjen e tavanit për biznesin pa taksa nga 140 mijë euro në 180 mijë euro, ishte pritur shumë mirë.
Se ulja e çmimit të energjisë nga 18 lekë në 6 lekë, përgjysmimi i çmimit të ujit, linjat e kreditit të butë për biznesin e vogël, ulja e tarifave sipërfaqet publike nga 1500 në 120 lekë, amnistia e të gjitha gjobave të vendosura ndaj këtij biznesi dhe vendosja e kufirit te thana për bashkitë që të mos taksojnë këtë biznes më shumë se 1 përqind të xhiros, unë këto gjeta.
Aty pashë një optimizëm.
Aty pashë një mbështetje transversale, pavarësisht nga bindjet politike të paketës së PD për biznesin e vogël, të përpjekjes së saj Made in Albania.
Meqenëse aty fola vetëm me biznesin, desha që me këtë deklaratë, t’ua afirmoj edhe atyre fjalë për fjalë ato që premtova dhe që do jenë realitet tre muajt e parë të qeverisjes së PD.
Për ne, biznesi i vogël është gjeneratori kryesor i punësimit. Ne do bëjmë gjithçka për suksesin e tij. (A2 Televizion)