
“Dua të shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre qytetarëve që dje themeluan me praninë e tyre ‘Foltoren e parë parlamentar-qytetare’ në historinë e vendit, para pallatit të krimit. Dje, PD nuk kishte thirrur miting. Kishte thirrur një Foltore”.
Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp të martën.
“Pse ne nuk kemi thirrur miting dhe nuk do të thërrasim miting? Ne nuk thërrasim se do të angazhohemi në një proces analize, ristrukturimi, hapje të PD-së i cili është jetik. Nëqoftëse ne marrim vendim për një protestë, apo për protesta masive, kjo bie ndesh me të parën. Pastaj, të gjithë potencialet tona duhet të mobilizohen për protestat masive. Jo. Nuk ka qenë protestë kombëtare. Ka qenë thjeshtë një ‘Foltore’ dhe do të jetë thjeshtë një foltore parlamentaro-qytetare. Vijnë ata që duan të vijnë. Kjo është. Çdo interpretim tjetër është absolutisht jo real”, u shpreh Berisha, shkruan A2.
“Ajo ka qëllim që deputetëve që u mbyllet mikrofoni në Parlament, të vijnë të flasin para qytetarëve, shqiptarëve, para kryeministrisë. Ajo ka qëllim që qytetarët, meqenëse deputetët nuk lejohen t’i paraqesin çështjet e tyre në Parlament, të vijnë t’i paraqesin vetë, para kryeministrisë. Pra, kjo foltore ka këto qëllime. Është foltore parlamentaro-qytetare. Janë të njohura këto në histori. Lexoni për revolucionin francez. Në një fushë tenisi nisi jetën ai institucion që transformoi Francën dhe Europën. Parlamenti kontinental në SHBA i dha botës demokracinë më të fuqishme të të gjitha kohërave. Nëqoftëse foltorja e parë kishte qëllim ringritjen dhe shpëtimin e PD, kjo foltore synon shoqërinë shqiptare, shqiptarët në tërësi. Pra, është tjetër”, shtoi kreu demokrat.
(A2 Televizion)