
Konferenca e Kryetarëve ka vendosur datën 18 dhjetor për të diskutuar kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me situatën e krimit të organizuar në vend.
Mazhoranca propozoi që debati të shtyhet për një sesion tjetër parlamentar, por opozita e kundërshtoi me argumentin se rregullorja e Kuvendit nuk e lejon një gjë të tillë. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, duke propozuar datën 18 dhjetor.
“Ne nuk mund ta shtyjmë, sepse rregullorja përcakton që mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve. Ne kemi dëgjuar institucionet e sigurisë, por mocioni lidhet me qeverinë. Pra, kërkon të njihet dhe të debatohet mbi masat që ka marrë qeveria. Kërkesa vjen në kuadër të raporteve ndërkombëtare që flasin për rritjen e fuqisë së krimit të organizuar dhe çmoj se është pikërisht momenti që të zhvillohet ky debat. Unë propozoj që debatit t’i caktohet data 18 dhjetor, sepse atë ditë parashikohet një seancë që ka vetëm njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Shtoni një pikë në rendin e ditës, që të jetë pikërisht debati për masat e qeverisë në raport me krimin e organizuar”, tha Bardhi.
Pavarësisht kundërshtisë së mazhorancës u vendos data 18 dhjetor, ku parashikohet një seancë që ka vetëm njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Mazhoranca kërkon që debati të jetë pika e fundit e seancës, ndërsa PD e kundërshton. (A2 Televizion)
