
Sali Berisha, duke folur për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit, deklaroi se po shkatërrohet dosja e AKSHI-t, që, sipas tij, “është një nga dosjet më të shëmtuara, më kriminale në historinë e vendit”.
Dosja e AKSHI-t është dosja në të cilën familja e Edi Ramës dhe Edi Rama kanë grabitur qindra e qindra milionë euro. AKSHI është agjencia e parë publike e shtetit shqiptarë, në garën e të cilës janë marrë pengje jo një, po disa persona, për shkak të tenderave, se ato duhet t’i fitonte gjithmonë Armand Frangu. AKSHI është agjencia, të cilës Edi Rama me një vendim qeverie të vitit 2017, përqendroi të gjithë tenderat kombëtare të fushës së high tech, në një kohë kur më përpara secila ministri, secili dikaster i bënte vetë ato tendera dhe nuk ekzistonin kurrë koncepte të tilla. Por, çfarë ka ndodhur tani? Ka ndodhur që publikisht siç jeni në dijeni, jo tani, por dy vite më parë, unë kam lexuar para jush, para medieve dhe shqiptarëve, një informacion të marrë direkt nga prokuroria, në të cilin Gerond Meçe, i regjistruar në regjistrim ambiental, çka do të thotë se ishte ulur në një tavolinë ku kishte regjistrues, i thotë bashkëbiseduesit se ABS-ja nuk është kompani e imja, por e Armand Frangut, pavarësisht se është në emër tim”, tha Berisha, shkruan A2.
“Patronazhistja e AKSHI-t, thotë Gerondi, është Linda e Surrelit. Keni parë ju, të thirret Linda e Surrelit për këtë punë? Ekziston në dosje kjo. Keni parë të thirret Armand Frangu, i cili ka marrë me qindra tendera me procedurë sekrete në kundërshtim flagrant me ligjin? Keni parë të thirret Edi Rama se pse i përqendroi të gjitha tenderat e IT në një agjenci? Çfarë e shtyu? Atëherë, çfarë kemi të bëjmë? Kemi të bëjmë me një proces i cili shpërtheu për shkak të meritës së Gerond Meçes që u arratis në një ambasadë, bëri dëshmi. Ai dhe jo vetëm ai se është edhe një shtetase tjetër që ka bërë dëshmi. Është edhe Daniel Shima, i cili është një person enigmatik dhe problematik, por edhe ai, sipas disa burimeve mediatike, ka bërë dëshmira rrënqethëse”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)