Në një takim me banorët e Njësisë 5 në Tiranë, Sali Berisha ka ndarë me qytetarët një informacion që siç thotë ai sapo e ka marrë. Sipas Berishës bëhet fjalë për një gjykatës, besnik i ligjit, as emrin nuk ia di, i ktheu sot SPAK-ut, hetimin për Ramën.
“E kam një informacion me interes për ju që sapo e mora. Një gjykatës, besnik i ligjit, as emrin nuk ia di, i ktheu sot Skapit të partisë, hetimin për sarajet e Surrelit. Një moment, zonja Kalaja dhe PD e çoi sepse aty është një gropë e zezë korrupsioni. E çoi në Skap, por skapistët mjeranë, e transferuan në prokurorinë e Tiranës. Prokuroria e Tiranës të hetonte kryeministrin, që me ligj dhe Kushtetutë është vetëm Skapi. Nuk mundet prokuroria e Tiranës të hetojë kryeministrin imunitar. Por Skapi përsëri refuzoi dhe në fund doli një gjykatës, besnik i ligjit dhe urdhëroi Skapin që të hetojë çështjen. Njerëz si këta, shërbëtorë të ligjit, janë shërbëtorë dinjitozë të vendit të tyre. Ndaj dhe ne do bëjmë një administratë, që të zbatojë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Me bindjen më të madhe se kështu janë shërbëtorë të vërtetë të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Në tetor të vitit të kaluar, Adriana Kalaja kallëzoi penalisht në SPAK Edi Ramën për veprat penale të mos deklarimit të shpenzimeve dhe falsifikim të deklarimeve në ILDKPI. (A2 Televizion)