Një video e krijuar me inteligjencë artificiale nga PS luan me ngjashmërinë mes strategut të PD-së Chris LaCivita dhe deputetit socialist Vullnet Sina. Në video, zëri i imituar i La Civita-s bën thirrje për votimin e Edi Ramës, ndërsa PD reagon duke e cilësuar atë një fabrikim të mazhorancës.
Një video e krijuar me inteligjencë artificiale është publikuar së fundmi nga drejtuesi i PS në qarkun e Vlorës Bledi Çuçi, ku luhet me ngjashmërinë në pamje mes strategut të fushatës së demokratëve, amerikanit Chris La Civita dhe deputetit socialist Vullnet Sina.
Inteligjenca artificiale është përdorur në video nga socialistët edhe për të krijuar një zë të ngjashëm me atë të amerikanit La Civita, teksa në anglisht bën thirrje për të votuar numrin 5 dhe Partinë Socialiste.
Strategu i demokratëve, që nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri, reagoi me pamjen dhe zërin e zëdhënësit të fushatës së PD, Andi Mustafaj, që përcolli një mesazh në emër të tij.
“Video është fake-është fabrikuar nga fake-u Edi Rama. Edi Rama është kaq i dëshpëruar për të shmangur debatin për 12 vitet e dështimeve të tij ekonomike para popullit shqiptar-sa i duhet të prodhojë-dhe të bëjë mbështetësit e tij të korruptuar të prodhojnë-imitime megjithë mend të dobëta të miat. Unë jam, të paktën më i zgjuar, se ky që mbështet Edi Ramën, një kryeministër dështak dhe bandit. Familjet shqiptare kërkojnë zgjidhje reale për vështirësitë ekonomike me të cilat përballen”.
Reagimi mbyllet duke theksuar se sjellje të tilla janë dëshmi e mungesës së alternativës nga ana e qeverisë dhe se vetëm liderë me integritet dhe përvojë, si Berisha, mund të ofrojnë zgjidhje reale për vendin. (A2 Televizion)