Edi Rama ka ironizuar sloganin e Partisë Demokratike në këto zgjedhje parlamentare, duke e quajtur “qesharak” premtimin për të bërë “Shqipërinë madhështore”. Në një takim pasditen e sotme, me votuesit për herë të parë të tre njësive në Tiranë, kryesocialisti theksoi se retorika për të bërë madhështore qytete si Peqini apo Puka është absurde dhe larg realitetit.
"Po a mund të quhet kjo "normale", një alternativë që nuk e ka turp të thotë se do ta bëjë Shqipërinë madhështore? Si do ta bëjnë madhështore? Shqipërinë nuk kemi nevojë ta bëjmë "madhështore", sepse kjo tingëllon shumë qesharake kur e themi. Ne, Shqipërinë, do ta bëjmë anëtare të Bashkimit Evropian. Kaq. Pastaj, gjëja më qesharake: shkojnë në Peqin dhe thonë "do ta bëjmë madhështor", do ta bëjmë Pukën madhështore, Maliqin madhështor, Sharrën madhështore... Histori komplet qesharake”.
Gjatë fjalës së tij Rama theksoi rëndësinë jetike të përmbylljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027.
“Negociatat me BE janë një marrëdhënie dypalëshe: ti bën detyrat e tua, ata duhet të bien të gjithë dakord. Dhe deri më sot, nga ana e tyre kanë marrë kohë dhe na kanë vonuar dhe na kanë vonuar. Sot, për arsye të tyre, pavarësisht faktit që ne kemi bërë detyrat, ata kanë hapur derën dhe, për herë të parë që nga viti 1991, duan edhe ata që ta marrim brenda. Kjo do të thotë se kjo derë e hapur nuk do të rrijë pafundësisht e hapur. BE ka thënë që deri më 2027 duan t’i mbyllim negociatat me ju. Kjo do të thotë që duhet të punojmë ditë e natë për t’i mbyllur negociatat. Nëse negociatat nuk mbyllen në 2027, historia mund të zvarritet", tha Rama.
(A2 Televizion)