Kryesia e PD-së të hidhet në betejë pa kthim ashtu siç janë hedhur deputetët e kësaj partie në parlament. Me këto fjalë iu drejtua Sali Berisha, kryesisë së Partisë Demokratike, ndërsa më herët kishte mbledhur krerët e degëve. Në fjalën e tij Berisha tha se kjo është një betejë pa kthim për të luftuar për rivendosjen e pluralizmit dhe kushtetutshmërisë në vend, në kushtet kur sipas tij rama ka asgjësuar opozitën dhe vullnetin e shqiptarëve.
“De facto dhe de jure, duke i bllokuar opozitës të drejtën kushtetuese për të kontrolluar qeverinë me komisionet hetimore parlamentare, një njeri dhe ky është Edi Rama, i ka marrë parlamentit një të drejtë themelore, i ka marrë opozitës, sepse ai kontroll më së shumti është i parashikuar për çdo 35 deputetë, pavarësisht nga spektri partiak, por natyrisht me vetëkuptim ai pushtet ushtrohet më së shumti nga opozita. Njeriu që kontrollon të gjitha pushtetet tjera, tani ai nuk pranon të kontrollohet nga sovrani. Shkelmon sovranitetin e vendit dhe vendos pushtetin absolut. Kemi të bëjmë me një situatë të paprecedentë në tërë historinë 32-vjeçare të Shqipërisë. Ky njeri është sot i paligjshëm, ky është një armik i rendit kushtetues të Shqipërisë, ky është një armik i egër i pluralizmit politik të vendit. Me këtë akt, Edi Rama ka asgjësuar politikisht votën, vullnetin e më së paku të 600 mijë shqiptarëve. Por edhe njëherë, e drejta e kontrollit të qeverisë nuk është vetëm e qeverisë, është e parlamentit, e të gjithë atyre deputetëve që duan ta ushtrojnë atë. Por meqenëse kjo e drejtë i është shkelmuar 8 herë opozitës, ky akt shënon de facto, asgjësimin politik të opozitës në parlament. Opozita në parlament, një dekor pa funksione, pasi pushtetin që ajo ushtron në përputhje me ligjet, ia ka marrë Edi Rama. Ajo që ka rëndësi kapitale, rëndësi ka që kryesia e PD-së, organi drejtues i kësaj partie, të hidhet në betejë pa kthim. Ashtu siç janë hedhur deputetët e kësaj partie në parlament. Në një betejë pa kthim me cilindo që është i vendosur të luftojë për rivendosjen e pluralizmit, për rivendosjen e kushtetutshmërisë në vend”.
(A2 Televizion)