Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një minutë heshtje për ndarjan nga jeta të aktores Margarita Xhepa, teksa do të zhvillonte një konferencë për mediat.
Berisha gjatë fjalës së tij është shprehur se Xhepa ishte një artiste e papërsëritshme që shndriti në skenë dhe ekran, shkruan A2 CNN.
Po ashtu, ish-kryeministri tha se ajo kishte një talent të rrallë dhe një forcë të jashtëzakonshme interpretimi.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Dua të shpreh ngushëllimet e mia për të ndjera familjes Xhepa, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve të Shqipërisë, pasi sot u nda nga jeta artistja më përfaqësuese e skenës shqiptare në disa dekada, Margarita Xhepa.
Margarita Xhepa është një artistë e papërsëritshme që shndriti në dhjetëra dhe qindra role në skenën e teatrit dhe në film.
Me një talent të rrallë.
Me një forcë interpretimi të jashtëzakonshëm.
Ajo mbeti gjithnjë një nga artistet më të dashura, më të çmuara të Shqipërisë.
Ndaj me këtë rast, duke ndarë dhimbjen dhe zinë me familjen Xhepa, me të gjithë miqtë dhe të afërmit e të ndjerës Margarita Xhepa, me të gjithë artdashësit që e kanë dashur, vlerësuar dhe çmuar kaq shumë, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të kujtimit të saj. (A2 Televizion)