Pesë shkurtin, ditën kur poshtë banesës së tij shkoi Gazment Bardhi dhe grupimi i tij, por edhe deputetë të Partisë së Lirisë, Sali Berisha e ka cilësuar si ditën kur firmos “mrekullia” e Partisë Demokratike, bashkimi i demokratëve.
Sipas Berishës, ishte protesta e 5 shkurtit para parlamentit ajo që solli më pas edhe bashkimin e demokratëve.
“Më 5 shkurt, ju të dashur miq bëtë histori. Ju shembët një nga tabutë më të zeza të trashëguara nga e shkuara jonë diktatoriale. Politika shqiptare nuk është më e njëjtë që nga 5 shkurti, sepse ju dëshmuat se ndonëse mendoni ndryshe, ndonëse kemi kritikuar njëri-tjetrin, ndonëse kemi pasur përplasje me njëri-tjetrit dhe jemi parti e individit të lirë, kur vjen puna te interesi kombëtar, te vlera e lirisë, te demokracia, ne bëhemi një dhe i dalim zot vendit, i dalim zot pluralizmit, i dalim zot Shqipërisë,” u tha ai mbështetësve që mblidhen çdo pasdite poshtë banesës së tij tëk ajo që tashmë është quajtur “Rrugica e Shpresës.”
Po ashtu, kreu i “Rithemelimit”, paralajmëroi se Partia Demokratike do t’i fitojë zgjedhjet e 2025. Berisha theksoi se PD fitoi në vitin ‘92 se ishte e pamposhtur dhe do fitojë përsëri, sepse siç u shpreh ai, qëndron edhe sot e pamposhtur. (A2 Televizion)