Rama si Toto Rina ia ka dorëzuar Shqipërinë krimit, ndërsa vendi përballet me rreziqe ekzistenciale. Nga Roma ku ndodhet në një takim me diasporën, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se përdor krimin për të mposhtur shqiptarët me synimin për të mbajtur pushtetin e tij.
“Sot në zyrën e kryeministrit nuk është një qeveritar nuk është një qytetar shqiptar. Miqtë e mi, sot kryetari i qeverisë mund të quhej në mënyrë absolute Toto Rino, çfarë të doni ju. Ky është Edi Rama. Edi Rama ia ka dorëzuar Shqipërinë krimit në traditën e baballarëve të tij, të cilët krimin politik, varjen në litar, ekzekutimin para skuadrave të pushkatimit e quanin të dobishëm. Edi Rama përdor sot krimin për të mposhtur shqiptarët sot për pushtetin e tij. Sot Toto Rinat shqiptarë apo El Çapot shqiptarë në krye të qeverisë shumëzojnë me zero qytetarët shqiptarë. Pronat dhe çdo pasuri përrallore e ndan me trafikantët, e ndan me kriminelët, e ndan me klanet e tij. Miqtë e mi, rreziqet e sotme të Shqipërisë janë rreziqe ekzistenciale. Shqipëria gjithmonë ka pasur rreziqe, por këtë herë të gjitha rreziqet janë mishëruar në një njeri dhe ky njeri është El Çapo shqiptar apo Toto Rino shqiptar”, u shpreh Berisha teksa shprehu besimin se shqiptarët do t í dalin zot vendit të tyre.
“Kam ardhur gjithashtu besimplotë tek ju për të ndarë me ju rreziqet e mëdha me të cilat përballet vendi ynë i dashur, Shqipëria. Kam ardhur tek ju i bindur se çdo shqiptar patriot i lindin nënat për të dashur Shqipërinë. Kam ardhur me bindjen e plotë se çdo shqiptar i lindin nënat për t’i dalë zot Shqipërisë”, tha kreu demokrat.
Në fjalën e tij me diasporën e cila voton për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, Berisha vlerësoi ndihmën e Italisë ndaj vendit tonë dhe premtoi projekte të reja në të ardhmen
“Me qeverinë italiane kemi firmosur qindra marrëveshje bashkëpunimi në të gjitha fushat, por kemi ndërmarrë edhe sipërmarrje me rëndësi strategjike për Europën siç është gazsjellësi TAP. Projektet e ardhshme do jenë edhe më të mëdha”.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka duke folur në takimin me diasporën në Romë, u ka bërë thirrje shqiptarëve që të regjistrohen dhe të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
“Me votën tuaj ne do ta mundim regjimin, do ta zëvendësojmë regjimin me një demokraci evropiane. Vota juaj do të ndalojë dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria, do ta ndalë dëbimin e të rinjve. Me votën tuaj do ta mundim narkoshtetin me 11 maj, ndaj vetëm një thirrje për çdo njërin prej jush, regjistrohuni, është e vetmja mënyrë që ti ktheni reston regjimit që ju largoi nga Shqipëria. Ne së bashku do ta çlirojmë Shqipërinë nga llumi politik që zhgërryhet në luks do ta çlirojmë Shqipërinë nga një regjim narkomanësh që ushqehet në kurriz të popullit më të varfër të Europës".
(A2 Televizion)