Berisha me tregtarët: Ulim taksat për biznesin e vogël

Nga Anesti Barjamemaj
15 Prill 2025, 14:56 | Politikë

Sali Berisha la zyrën e Partisë Demokratike dhe këtë të martë vizitoi tregun industrial të Tiranës. Ndryshe nga zakonisht, lideri opozitar u shfaq pa kravatë, duke shtrënguar duart me sipërmarrësit e vegjël, shkruan A2 CNN.

I shoqëruar nga kandidatë për deputete për qarkun e Tiranës dhe të rinjtë që mbanin në duar programin e Partisë Demokratike, Berisha u premtoi tregtarëve se ndër aktet e para të qeverisjes së tij është vendosja e minimumit jetik.

“Ai minimum është i domosdoshëm që një njeri të mund të mbajë veten, nuk e pasuron, nuk e lumturon, por ama e përjashton nga disa dhimbje të paarsyeshme dhe ne do e bëjmë atë”, tha ai.

Përveç premtimeve që u dha tregtarëve, dëgjoi dhe sugjerimet e tyre.

Berisha: Do ulim çmimin e energjisë me tre herë. Çmimin e ujit me dy herë.

Tregtari: Politikë për kthimin e 800 mijë të larguarve, kjo na duhet të rikthehet fuqia blerëse.

Berisha: Bravo.

Jo vetëm ulje taksash nga qeveria qendrore, por lideri i opozitës u premtoi bizneseve të vogla se do i mbrojnë dhe nga bashkia. “Bashkisë do ia vëmë kufirin tek thana, që të mos guxojë të vërë taksa më shumë se 1 për qind të xhiros, tani shkojnë në 8 për qind të xhiros dhe ato para i kthejnë në patronazhistë dhe rrush e kumbulla”, tha Berisha.

Tregtarëve u premtoi se do të falen gjobat e vëna ndaj bizneseve të vogla. Pas ankesave të tregtarëve premtoi uljen e taksës lokale për hapësirat publike, dhe rritjen e tavanit të xhiros vjetore së tatueshme që do të shkojë nga 140 mijë euro në 180 mijë euro, pasi siç tha në këtë mënyrë i jepet një frymëmarrje biznesit të vogël. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos