Gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Selanik, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 11 majit. Duke e cilësuar si "ditë vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë", kreu demokrat ftoi emigrantët të kthehen në atdhe.
“Qëndrimi i shqiptarëve në 11 maj është shpëtimtar, është vendimtar për të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë”.
Berisha denoncoi regjimin e Edi Ramës, të cilin e akuzoi për zhytjen e vendit në varfëri, shpërnguljen masive të shqiptarëve dhe shkatërrimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor. Ai përmendi mbylljen e shkollave për mungesë nxënësish, zhvlerësimin e euros dhe korrupsionin në tendera publikë.
“Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë një pasuri të tillë nëntokësore dhe mbitokësore, por sot vidhet nga qeveritarët dhe trafikantët,” tha Berisha.
Ai deklaroi se shqiptarët në diasporë kanë rol kyç për të ndryshuar situatën dhe i ftoi ata të kthehen dhe të investojnë në atdhe.
“Ndaj dhe, jam këtu për t’u ftuar ju, çdo emigrante dhe emigrant në Greqi dhe kudo që ndodheni, planifikoni të ktheheni në Shqipëri. Investoni në Shqipëri. Ju jap fjalën se, 5 vitet e para nuk do të keni asnjë taksë”.
Ndër premtimet kryesore të tij janë rritja e pagës minimale në 500 euro, pensionet minimale në 200 euro, eliminimi i taksave për investitorët e rinj nga diaspora për 5 vite dhe lehtësira për të sjellë automjetet në Shqipëri pa taksa.
“Firmosni më 11 maj për të përmbysur narkoshtetin dhe për të rikthyer demokracinë në vend”, u shpreh Berisha. (A2 Televizion)