Kontratë me ish-këshilltarin e Trump, Berisha 6 milionë dollarë lobim në SHBA para “11 majit”

Nga Ervin Koçi
27 Prill 2025, 10:48 | Politikë

Dy javë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Departamenti Amerikan i Drejtësinë bëri publike kontratën e lobimit të Partisë Demokratike. Akti flet për një marrëveshje 24-mujorshe me një vlerë totale prej 6 milionë dollarësh ku në për çdo muaj deri në prill të 2027, kundrejt kësaj kompanie do të disbursohen 250 mijë dollarë.

Shifra e lartë duket se justifikon emrin që mban kompania. Kundërfirmosja në emër të amerikanëve është bërë nga Carlos Trujillo, ish-këshilltar i presidentit Donald Trump, por emri tjetër më i rëndësishëm, është ai i Katie Wiles, vajza e Susie Wiles. Kjo e fundit mban detyrën e shefes së kabinetit të Donald Trump, ish-bashkëpunëtore e ngushtë me Chris LaCivitan.

Sipas marrëveshjes, kompania do të ndihmojë në krijimin e kontakteve me zyrtarë të qeverisë dhe Kongresit amerikan, do të promovojë kauza si lufta kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare në përputhje me interesat SHBA-Shqipëri, si dhe do të angazhohet në çështje strategjike ligjore në emër të PD-së dhe koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, por që arsyeja e vërtetë, dhe e ditur botërisht, është tentativa e radhës për t’i hequr non gratën Sali Berishës.

Politikisht kjo kontratë duket se favorizon Sali Berishën në betejën e tij të nisur katër vite më parë kur u shpall non grata nga SHBA, por financiarisht, 6 milionë dollarë është buxheti publik i PD-së në gjashtë vitet e fundit. Automatikisht, pyetja që lind është, ku i gjeti paratë PartiaDemokratike? Përgjigjen e dha vetë selia blu në një reagim u shpreh se të gjithë dollarët janë donacion nga komuniteti shqiptar në SHBA. Madje, edhe paratë e këstit të parë janë paguar nga Nuredin Seci, shqiptaro-amerikani nga Tropoja që jeton në New York i cili është edhe garantori i kontratës së lobimit.

Tashmë mbetet për të parë nëse kjo kontratë lobimi do të afektojë fushatën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku partitë politike janë në sprintin final. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos