Kreu i Partisë Demokratike, në një takim me shqiptarët në Selanik, deklaroi se "viti 2025 do gdhendet në muret e kohërave të kombit si viti i diasporës shqiptare".
"Kam pritur me shumë kënaqësi t’ju takoj sot ju në Selanik, Greqinë mike, vend në të cilin, qytete dhe rrethina në të cilat jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë. Kurse në Greqi, mbi gjysmë milioni shqiptarë. Në një vend që jetojnë gjysmë milioni shqiptarë, për një vend të tillë, mirënjohja është e pakufijshme. Një vend mik, një vend të cilit ne i detyrohemi shumë për qendrimin që ka mbajtur ndaj jush. Marrëdhëniet midis dy vendeve dhe kombeve tona janë marrëdhënie miqësore. Jemi të vetëdijshëm, marrëdhëniet midis fqinjëve njohin gjithnjë ulje dhe zbritje. Por duhet të pranojmë miq se, akti i dy viteve më parë i narkodiktatorit të Tiranës Edi Rama, ndaj eurodeputetit, Fredi Beleri, është një nga aktet më të shëmtuara në historinë e demokracive europiane. Edi Rama përdori truket e vjetra të Sigurmit të Shtetit, përdori të njëjtët elementë për t’i rrëmbyer Fredi Belerit mandatin që i dhanë qytetarët e Himarës. Dhe kjo, vetëm e vetëm se, Fredi Beleri, nuk pranoi të shitej, nuk pranoi të kandidonte për Edi Ramën. Jo, i tha, unë jam i djathtë. Unë nuk tradhëtoj ato parime të miat", tha Berisha, shkruan A2.
"E vërteta është se, prapa qendrimit antikushtetues, qendrimit të shkelmimit të Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut që u mbajt ndaj Fredi Belerit, diskriminues. Pse diskriminues? Çdo njeri tjetër para Fredi Belerit që ndodhej i burgosur është lejuar të bëjë betimin, sepse Kushtetuta e lejon të bëjë betimin, kurse Edi Rama mori çdo masë kundër tij në kundërshti me Kushtëtutën, sepse e dinte nga 220 mijë katrorë tokë që po grabit të Manastirit të Skutarasë dhe të kanionit të Gjipesë, Fredi Beleri nuk do t;i jepte asnjë metër katror. Fredi Beleri do të mbronte pronat e bashkëfshatarëve, e bashkëqytetarëve të tij. Kjo është e vërteta. Po pse u ndala këtu? U ndala miq, për të treguar se për çfarë është e aftë mafia për interesa të vetat të bëjë, të sakrifikojë, të dëmtojë, pavarësisht statusit të gjysmë milioni shqiptarëve, marrëdhëniet me fqinjtë të cilat janë gjithnjë shumë të rëndësishme për interesa mafioze personale. Ky është Edi Rama, miqtë e mi", shtoi Berisha. (A2 Televizion)