Berisha: Një kryeministër që pi një shishe vere 33 mijë euro duhet nxjerrë me lecka

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2025, 11:47 | Politikë

Berisha: Një kryeministër që pi një shishe vere 33 mijë

Një ditë para protestës Kombëtare që do të zhvillojë para godinës së Edi Ramës, Sali Berisha sulmoi kryeministrin. “Një kryeministër që ulet me shishe vere 33 mijë euro në kryeministri e meriton për t’u nxjerrë me lecka. Pra që vë shishen sa 200 pensione për t’u shijuar, në një kohë kur pensionisti që merr 160 euro, ka që marrin shumë më pak shumica, i duhet të paguajë në ndërtesën sociale 62 euro qira. Vetëm qiraja e shtëpisë 62 euro, plus faturat e tjera, plus ilaçet, nuk i ngelet për kafshatën. Po ata që janë me 160 euro pension janë pakica e pensionistëve, shumica e tyre nuk kanë pension të plotë, kanë pension të pjesshëm”, tha Berisha.

“Vetëm me shpenzimet abuzive të tmerrshme të Edi Ramës dhe qeveritarëve, mund të rriteshin në vit 15-20 përqind të gjitha pensionet. Situatë dramatike kemi ne në rrafshin e të drejtave të njeriut dhe pluralizmit. Sot ish-presidenti i Republikës, ish-kryeministri i vendit, ish-kryetari i parlamentit nxirret me dhunë nga makina pa i treguar mandat arrestin, zvarritet dhe goditet publikisht sepse ashtu donte Edi Rama. Një deputet i yni është në burg, Ervin Salianji sepse guxoi të ngrihej mafies më të rrezikshme të Europës që është mafia Rama-Xhafaj. Dhe ai rri në burg, në vend që të jenë në burg këta”.

Berisha ftoi të gjitha partitë opozitare t’i bashkohen në protestën kombëtare që do të zhvillohet të shtunën në Tiranë, shkruan A2 CNN.

“Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me jetrin, të bashkohen në këtë front për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara. Sepse ky bashkim ka një rëndësi vendimtare”, tha ai në një takim me aleatët këtë të premte.

“Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë apo atë forcë, kanë vërejtje për PD-në, normale janë këto, por problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara. Dhe të gjitha variantet e tjera, vetëm sa pjesëtojnë fuqinë e opozitës”.

Protesta e të shtunës është parashikuar të nisë në orën 17:00 dhe të zgjasë deri në 20:00, raporton A2 CNN. Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në terren do të jenë rreth 1200 efektivë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Shqiponjat. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Po ashtu, edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve.

Ndërkohë, në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz. Do të ketë edhe 5 autobote me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Ndërsa përgjatë bulevardit do të vendosen kamera me rezolucion të lartë.

Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.

Detyrat e lëna nga drejtuesit e policisë për vartësit e tyre janë që të mos provokohen nga protestuesit, si dhe të mbahen nën vëzhgim ata persona që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos