Rregullatori pret 84 votat e Kuvendit, anëtarët e opozitës nuk bëhen pengesë për votën e diasporës

Nga Fjorela Beleshi
6 Shkurt 2025, 17:42 | Politikë

Mungesa e dakordësisë politike në sallën e Parlamentit sa i përket kërkesës së demokratëve që me 11 maj të votojnë edhe emigrantët pa dokumenta identifikimi shqiptare, reflektohet edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.  

Muharrem Caka, i propozuar nga opozita si anëtar në Komisionin Rregullator, mendon që identifikimi i tyre mund të realizohet nga KQZ edhe me dokumente të vendeve të tjera, një qëndrim krejt i kundërt nga ai i komisionerit Ilirjan Celibashi, shkruan A2.

“Për të votuar, ata mund të votojnë. Praktikisht. këta shqiptarë, kanë apo jo dokument identifikimi, e kanë emrin në listën e zgjedhësve në Shqipëri. Do ta verifikojë operatori. Aplikimin nuk e verifikon aplikacioni apriori, e verifikon operatori që është pas kompjuterit. Në momentin që i gjen të gjitha të dhënat e sakta, e ballafaqon me të dhënat unike të gjendjes civile, automatikisht e kalon tek regjistri i votuesve nga jashtë. Personalisht, e shoh se nëse ka dëshirë dhe vullnet, është mëse e realizueshme”, tha Caka. 

Ndërsa për kryetaren e Komisionit Rregullator, Iliriana Nano, propozuar nga mazhoranca, me përcaktimet ligjore të cilat janë në fuqi, kjo kategori e shqiptarëve nuk mund të votojë: “Siç parashikohet në Kodin Zgjedhor, kjo është e pamundur”.  

PD kushtëzon me kërkesën e saj votat në Parlament të disa ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për afate regjistrimi dhe kosto financiare, që do të lehtësonin votën nga jashtë, çka do të thotë se amendamentet rrëzohen, ose PS gjen alternativa të tjera në Kuvend për t’i miratuar ato.

Përtej kësaj, Kodi Zgjedhor në pikën 4 të nenit 24 i jep Komisionit Rregullator të drejtën e vendimit final për zbatimin e votës së diasporës për herë të parë. E megjithatë, nëse socialistët grumbullojnë 84 votat e duhura, anëtarët e opozitës në Këshillin Rregullator të KQZ angazhohen të mos bëhen pengesë, pavarësisht qëndrimit të krahut të tyre politik në Kuvend. 

Caka u shpreh: “Pavarësisht se ne propozohemi nga partitë, Komisioni Rregullator është i pandikuar politikisht. Unë garantoj personalisht që ne do të votojmë për interesin më të mirë të shqiptarëve, interesin e drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirje. Në këtë mes do të prevalojë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, tha Caka.

Më e qartë është Nano, për të cilën nuk ka rëndësi konsesusi politik, mjafton që ndryshimet në kod të kenë numrin e nevojshëm të votave për të marrë fuqi ligjore: Ne si Komision Rregullator zbatojmë Kodin që është miratuar me 84 vota. Për ne nuk është e rëndësishme kush ka votuar pro një ndryshimi të kodit”.

Komisioni Rregullator përbëhet nga 5 anëtarë, 3 të propozuar nga PS dhe 2 nga opozita, PD dhe PL. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos