“Partizani”, Gjokutaj: Thirrja e Ramës me vlera juridike dhe politike. Berisha ka të drejtë t’i drejtojë pyetje

Nga A2 CNN
20 Prill 2026, 18:07 | Politikë

Avokati i Sali Berishës Genc Gjokutaj tha sot në emisionin “Ditari i Pasdites” nga Pandi Gjata, në A2CNN, se thirrja e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në çështjen “Partizani”, ka vlera edhe politike, përtej atyre juridike. Avokati vuri në dukje se për herë të parë Rama do të japë një dëshmi nën betim, ku ai do të duhet të mbajë përgjegjësi për çdo fjalë të thënë.

GJKKO ka konstatuar që Edi Rama nuk është një dëshmitar i zakonshëm, por është një dëshmitar kyç i procesit, i cili duhet të thirret dhe pyetet për rrethanat dhe faktet që unë parashtrova. Kjo thirrje përveçse ka vlerën juridike për procesin, ka edhe një vlerë politike do të thoja, pasi është hera e parë që Rama thirret nga një gjykatë apo agjenci ligjzbatuese, duke e vënë atë përpara një dëshmie nën betim, e cila është shumë pozitive pasi z.Rama, e para duhet të paraqitet dhe të kuptojë se çfarë është gjykata dhe shteti, pas një lufte të gjatë me të në lidhje me çështjen Balluku. Ai duhet të futet edhe në një format të tillë, jo nëpër konferenca shtypi, jo nëpër lidhje televizive, mitingje elektorale, por të futet në një format të tillë, nën betim, për shkak të të cilit ai të ketë përgjegjësi për çdo fjalë që do thotë, në lidhje me faktet dhe rrethanat që do pyetet nga gjykata”, tha Gjokutaj.

Avokati shtoi se kryedemokrati Sali Berisha ka të drejtën e plotë ligjore për t’i drejtuar pyetje Edi Ramës përgjatë seancës në gjykatë. Po ashtu Gjokutaj u shpreh se refuzimi për të dëshmuar përbën vepër penale.

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos