“Ndryshoi destinacionin e pronës”, Berisha sërish në SPAK për “Partizanin”, kërkon përballje me Ramën

Nga Anesti Barjamemaj
20 Prill 2026, 15:20 | Politikë

Sali Berisha pret të përballet në gjykatën e Posaçme me Edi Ramën, pasi Kryeministri është caktuar si një prej dëshmitarëve në dosjen “Partizani”.

Sipas liderit opozitar kjo do të jetë përballja e shekullit, ku premton se përpara gjykatës do të tregojë fakte dhe prova që shfajësojnë atë dhe implikojnë Ramën në dosje. “Akuza e dytë, se unë kam ndryshuar destinacionin e terrenit nga klub sportiv në zonë urbanistike. Mashtrim i turpshëm i pa skrupull. Edi Rama dhe varësit e tij kanë në dokumente të paktën 40 firma me të cilën ata ndryshojnë destinacionin e terrenit”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Berisha akuzën e vijon më tej duke thënë se veprimet për këtë pronë Rama i ka ndërmarrë pa kërkesën e pronarëve. “Pa asnjë kërkesë. E ka bërë vetë, sepse kishte vendosur me Olsi Ramën dhe një tjetër të ndërtonin një small parajse, Pra, Olsi Ramën, donte të ndërtonte qytezën e vet tek ajo pjesë. Pa kërkesën e pronarëve. Imagjinoni dhe, dhe këta prokurorë nën skenar të Edi Ramës, akuzojnë Berishën se ka ndryshuar destinacionin. E kupton?”, tha Berisha.

Veprimet e kundërligjshme të Ramës, sipas Berishës, kanë nisur në momentin kur autoritetet kanë zbuluar se një prej pronarëve ishte dhe dhëndri i tij, Jamabarbër Malltezi. “Edi Rama, pasi i ka dhënë të gjitha lejet, pasi ka filluar ndërtimi nga viti 2010, s’mbaj mend tani kurrë, ka marrë vesh se njëri nga pronarët është Jamarbër Malltezi, dhe ka nisur policinë e vet për ta bllokuar në gropë dhe ka bllokuar gropën”, tha Berisha.

Seanca e radhës për çështjen Partizani, ku Berisha, dhëndri i tij dhe disa biznesmenë janë të akuzuar do të zhvillohet në 30 prill. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos