
“Shqipëria rrezikon të kalojë nga një bazë e njohur e operacioneve të call center-ave që kanë mashtruar qytetarë europianë në një hallkë më të rrezikshme që lidhet me sistemin banker”.
Ky është alarmi që vjen nga Partia Demokratike, e cila i është drejtuar zyrtarisht katër prej aktorëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë në vend: Delegacionit të Bashkimit Europian, Ambasadës Britanike, Ambasadës Gjermane dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara duke kërkuar monitorim të aktivitetit të “Jet Bank”, bankës së parë online në Shqipëri.
Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Belind Këlliçi, shqetësimi nuk lidhet vetëm me aktivitetin e bankës, por me lidhjet e mundshme të individëve pas saj me rrjete ndërkombëtare mashtrimi.
Opozita ka publikuar dokumentet e Ministrisë së Brendshme gjermane, ku sipas saj rezulton se drejtues i kyç i kompanisë rezulton një shtetas izraelit i dënuar në Austri me 4 vite burg.
Sipas PD, Barak është konsideruar organizator i një skeme të gjerë mashtrimi përmes call center-ave, me një dëm të vlerësuar rreth 200 milionë euro në disa vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Britaninë.
Prej vitesh Shqipëria është përmendur në raportet ndërkombëtare si një bazë operimi për call center-a që mashtronin qytetarë europianë përmes investimeve të rreme online.
Skema ishte e thjeshtë me telefonata agresive marketing, platforma fiktive investimi dhe në fund zhdukje e parave të qytetarëve.
Në këtë kontekst, lidhja e mundshme e individëve të përfshirë në këto skema me një institucion bankar ngre alarmin për një evolucion të rrezikshëm të këtij fenomeni.
E prezantuar fillimisht si një projekt modern dhe inovativ në sektorin financiar, “Jet Bank” në pak kohë është përfshirë në polemika dhe akuza serioze.
Denoncimi i plotë i deputetit të PD Belind Këlliçi:
“Skandali i rradhës me Jet Bank dhe Bankën e Shqipërisë!
Sot po publikoj dokumente zyrtare të Ministrisë së Brendshme Gjermane, që hedhin dritë mbi kërcënimin serioz të sistemit tonë bankar nga licensimi i JET BANK, ku një zinxhir marrëdhëniesh mes disa individësh nuk mund të trajtohen më si rastësi administrative.
Sipas tyre, shtetasi Oliver Hemmer është Drejtori Menaxhues i kompanisë GRF Europe OU, e cila operonte për llogari të kompanisë 4XFX, në pronësi të shtetasit Izraelit, Gal Barak.
Ky i fundit i dënuar me 4 vite burgim në Austri, pasi ka ngritur një skemë mashtrimi me Call Centera me një dëm të vlerësuar rreth 200 milionë euro në disa shtete europiane si Angli, Austri, Gjermani, Spanjë, etj.
Në një tjetër dokument shihet qartë se Oliver Hemmer është edhe drejtori i kompanisë së regjistruar në Qipro, Constador LTD. Pikërisht kjo kompani është pronare me 71% e JET BANK, të parës bankë online në Shqipëri.
Në këtë pikë, çështja nuk është më thjeshtë ligjore, por sistemike.
Banka e Shqipërisë ka licensuar këta individë për të hapur bankën e parë online në vend, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e verifikimit dhe integritetin e procesit.
Por, më shumë se kaq, pyetja që shtrohet sot nuk është nëse ka pasur shkelje ligjore, por përtej kësaj, a po lejojmë që Shqipëria të evoluojë nga një bazë operative e call center-ave që zhvasin qytetarët evropianë, në një nyje të pastrimit të këtyre parave?!
Nëse kjo vijë alarmi kalon pa reagim, ky skandal do të përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e vetë sistemit bankar shqiptar.
European Union in Albania
Ambasada Gjermane Tiranë
British Embassy Tirana
U.S. Embassy Tirana” (A2 Televizion)