Berisha paralajmëron luftë frontale ndaj oligopoleve: “Çmimet në Shqipëri janë më të larta se në BE”

Nga A2 CNN
1 Prill 2026, 14:02 | Politikë

Berisha paralajmëron luftë frontale ndaj oligopoleve:

Lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi sot se partia e tij do të ndërmarrë një luftë frontale për të mbrojtur qytetarët nga oligopolet që sipas tij po rrisin çmimet e produkteve bazë në mënyrë të papërballueshme.

“Shqipëria ka ligje, dhe ligje të mira, të cilat, të zbatuara, mbrojnë qytetarët nga oligopoli. Ndaj dhe një nga drejtimet e punës tonë do të jetë mbrojtja e qytetarëve nga oligopolet,” tha Berisha, duke shtuar se PD nuk është kundër bizneseve, por qëndron “shumë pro-biznes”.

Ai u shpreh kritik ndaj taksave të larta mbi naftën, duke theksuar se “kur një litër në SHBA shitet me 1 dollarë, këtu taksa është 1.1 dollarë, kjo tejkalon çdo lloj logjike ekonomike dhe është një bazë për çmimet e larta”. Berisha theksoi se PD ka një model për “taksë të ulët 10 përqind” dhe do të studiojë çdo rast abuzimi, duke identifikuar institucionet e korruptuara që favorizojnë oligopolet.

Berisha përdori edhe shembuj konkretë për të denoncuar situatën, duke thënë: “Oligopolet Doshi-Nushi janë më të këqij se sëmundjet për të sëmurët shqiptarë me çmimet, me të skaduarat, me të gjitha. Qytetarët robtohen, vidhen, rripen nga kafshata në çdo gjë tjetër.”

Ai vuri theksin tek rëndësia e zbatimit të ligjeve ekzistuese për mbrojtjen e konsumatorit. “Janë ligje shumë të mira. Në qoftë se zbatohen, nuk mundet që çmimet të shkojnë më lart se vendet me fuqi blerëse 5 herë më të madhe se ne.”

Berisha përmendi si probleme kryesore naftën, sheqerin, orizin dhe mishin, por paralajmëroi se lista e oligopoleve mund të jetë më e gjatë. Ai shtoi: “Çdo shtet ka ligje dhe institucione që bizneseve u garantojnë veprimtari normale dhe fitim, por nga ana tjetër mbrojnë konsumatorin.”

Berisha përfundoi duke theksuar detyrën e PD-së: “Është në detyrimin madhor të Partisë Demokratike të ndërmarrë një luftë frontale në mbrojtjen më të vendosur të interesave të qytetarëve.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos