
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se “qeveria ka detyrimin të thotë ndërtimet në këtë zonë, peizazh natyror, do bëhen në përshtatje të plotë me peizazhin”.
“Ua them unë ju, edhe në parqet më të mbrojtura ka ndërtime në përshtatje me peizazhin. Ka hotele në përshtatje me peizazhin, ka vila në përshtatje me peizazhin. Por, ky këto s’i bën. Ndaj, dhe shqetësimi i përgjithshëm, zero transparencë. Kishit parë ju ndonjëherë? Pyeteni pak memorien tuaj: keni parë ju zonë të rrethohet, të zhvillohet, të rrethohet me tela me gjemba? Po si mund të ndodhi kjo? Si mund të ndodhi kjo? Çfarë po ndërton ti aty? Kamp përqendrimi po ndërton? Dhe bën sikur s'e ka ditur. E ka urdhëruar vetë. Telat me gjemba i ka urdhëruar vetë. Atë që ndodhi, e kapën tjetrin, e rrëmbyen, tjetrin jashtë rrethimit. Gjersa dolën videot e aktivistëve, të cilët faktonin që ai ishte jashtë rrethimit. Shkuan, e kapën. Të dënueshme përpjekjet për ta paraqitur këtë si një përpjekje të Greqisë”, tha Berisha, shkruan A2.
“Së pari njëherë, banorët e Zvërnecit, ai që ndihet shqiptar, ndihet shqiptar, ai që ndihet grek, ndihet grek. Jeton në një vend që ka të drejtë të plotë të mbrojë identitetin dhe origjinën e tij. E thoshte njëri shumë bukur aty: unë jam shqiptar dhe jam grek. Pikë. Çfarë kemi ne me atë? Po përçmim dhe përbuzje më të madhe se aq sa që të çosh telat me gjemba ti aty. Kjo është ajo oferta miqësore që u bën ti atyre? Çfarë po bën ti aty? Pushtim po bën ti aty në Zvërnec? Ti po bën një investim që ata duhet ta pëlqejnë dhe të jenë të sigurt që në qoftë se aty bëhej, ndiqej ajo praktikë që përcaktojnë ligjet. Praktika që përcaktojnë ligjet. Ju garantoj se s'ndodhte kurrë kjo. Ligjet përcaktojnë, konventa e Aarhusit kërkon të ulesh me komunitetin, t'i shpjegosh komunitetit: kaq do përfitojmë. Kemi patur rastin e hidrocentralit të Devollit, kompania merrte përsipër shërbime ndaj komunitetit, ndërtime ndaj komunitetit dhe kudo. Po kështu, kjo është praktika. Në vende jodiktatoriale kështu veprohet. Kurse ky i detyron ata, e detyron atë tjetrin të flasë me fytyrë nga rrethi i ullirit, nga frika”, shtoi kreu demokrat.
(A2 Televizion)