Berisha: Pogradeci nën sundimin e plotë të mafies shtetërore me në krye Fatmir Xhafën

Nga A2 CNN
19 Gusht 2024, 20:20 | Politikë

Berisha: Pogradeci nën sundimin e plotë të mafies shtetërore

Teksa në Sheshin Skënderbej po zhvillohet protesta për të kërkuar drejtësi për Egli Progën, i cili u vra pak ditë më parë në Pogradec nga Denis Meçe, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Nga ballkoni i shtëpisë së tij, ai përshëndet protestuesit dhe shprehet se PD mbështet çdo protestë për çdo kauzë të drejtë kudo që ajo zhvillohet dhe sidomos për jetën. Ai akuzon Fatmir Xhafën se ka nën kontroll Pogradecin.

“Përshëndetjet më të përzemërta ju guximtareve dhe guximtarëve të pamposhtur, misionarëve të kauzës së drejtë të shqiptarëve. Mirënjohje të pakufishme ndaj jush, oratorëve të kësaj platforme që me fjalën e tyre përcjellin të vërteta në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.

Miqtë e mi, sot qindra dhe mijëra qytetarë protestojnë para kryeministrisë. Protestojnë për jetën e humbur, drejtësinë e munguar, vrasjen mafioze të një qytetari, të një prindi, të një bashkëshorti, i cili qëndroi heroikisht ndaj një vrasësi gjobëvënës.

PD mbështet çdo protestë për çdo kauzë të drejtë kudo që ajo zhvillohet. Por kauzë më të drejtë se ajo për jetën nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Të dashur miq, një ditë më parë unë kam marrë një mesazh nga një qytetar i Pogradecit, i cili më shkruan se Pogradeci është sot më në terror se sa Elbasani, Durrësi apo ndonjë qytet tjetër.

Se Pogradeci është nën sundimin e plotë, total të mafies shtetërore me në krye Fatmir Xhafën. Se klani Xhafa në Pogradec përcakton çdo gjë, bën çdo ligj, merr çdo vendim, dikton gjithçka.

Dhe se ky klan qëndron natyrisht në Pogradec mbi ligjin, mbi shtetin, ka mposhtur dhe ka vendosur sundimin e tij. Po kjo është kudo!”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos