Berisha: Rama pagoi kundër meje në New York Times! LaCivita tha se ka ardhur në Shqipëri për të vazhduar punën e Trump

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2025, 13:22 | Politikë

Berisha: Rama pagoi kundër meje në New York Times! LaCivita tha se ka

Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka paguar para në New York Times kundër tij.

Komentet Berisha i bëri përmes një deklarate për mediat, ku tha se kjo gjë Ramës iu kthye në bumerang, pasi sipas tij, strategu i fushatës së Presidentit Donald Trump (tashmë i kontraktuar nga PD), deklaroi për New York Times se në Shqipëri ka shkuar për të vijuar punën e Trump për ta bërë Shqipërinë të madhe përsëri.

Ish-kryeministri tha gjithashtu se LaCivita deklaroi për të përditshmen amerikane se Edi Rama është thjesht një kukull e Xhorxh Sorosit dhe se akuzat ndaj Sali Berishës janë mirëfilltas politike.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Edi Rama sot është njeriu më i damkosur. Është kryeministri më i damkosur në Europë si kukull e Xhorxh Sorosit.

Dy ditë më parë ai pagoi, vetë apo nëpërmjet të tjerëve, 150 mijë a sa mund të ketë kushtuar ajo hapësira në Nju Jork Tajms kundër meje.

Iu kthye në bumerang. Se dje, njëri nga dy kryestrategët e rikthimit më madhështor, më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të Donald Trump, i deklaronte Nju Jork Tajmsit se në Shqipëri kam shkuar të vazhdoj punën e Donald Trump për të bërë Shqipërinë të madhe përsëri. Dhe se, Edi Rama është thjesht një kukull e Xhorxh Sorosit dhe se akuzat ndaj Sali Berishës janë mirëfilltas politike.

Karma është ashtu siç e do ai vetë.

Se një ditë para, artikull i sponsorizuar thoshte. Ky tjetri nuk ishte artikull i sponsorizuar, ky tjetri ishte artikulli i të vërtetave dhe i doli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos