Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka bërë një Pazar - siç e quajti ai - me kreun e SPAK, Altin Dumani, për të futur në burg Kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, e për të lënë jashtë vëllain e tij, Olsi Rama.
“Sot, Edi Rama ishte më i dystuar se kurrë në jetën e tij. Nga njëra anë donte me çdo kusht të mbulonte pazarin që kishte bërë me Altin Dumanin, shkëmbimin e Erion Veliajt me Olsi Ramën. Besoj se nuk mbeti njeri pa e kuptuar që Erion Veliaj ishte çmimi që u pagua për Olsin”, tha Berisha në një konferencë për mediat, raporton A2 CNN.
“Dhe, në fjalimin anatemik të tij, të mallkimit universal, njeriu i vetëm që tregoi se ishte aleat i tij, ishte Altin Mercenari, Altin Dumani. Fjala e Edi Ramës në aspekte të tjera ishte fjala e një njeriu që e di se e presin ndëshkime të rënda për krimet që ka kryer. Edi Rama deklaroi se ka krijuar Republikën e Prokurorëve. Jo. Është narkodiktaturë, ata nuk janë gjë tjetër vetëm mercenarë. Se padrino, se arkitekt i kësaj është Edi Rama”, shtoi ai. (A2 Televizion)