Sali Berisha ka pritur pasditen e sotme në zyrën e tij deputeten e Forza Italia Erica Mazzetti dhe koordinatorin e PD-së për Italinë, Bardhok Doda. Në një postim në Facebook, kreu i selisë blu shprehet se në takim u diskutuan zgjedhjet e 11 majit të cilat kryedemokrati i quan një farsë elektorale.
“Pata kënaqësinë të pres në zyrë miqtë e mirë dhe të kahershëm të mi dhe të Partisë Demokratike, Erica Mazzetti, deputete e Forza Italia, si dhe koordinatorin e PD-së për Italinë, Bardhok Doda koordinator për Forza Italia, së bashku me Dritan Beqirin dhe Lindita Bimin. Në takim morën pjesë gjithashtu zyrtarët e PD-së, Agron Gjekmarkaj, Belind Këlliçi dhe Enri Çeno. Diskutuam gjerësisht për farsën elektorale të 11 majit dhe për punën e madhe që po bëjnë strukturat e Partisë Demokratike për të identifikuar dhe faktuar këtë manipulim të pashembullt”, shkruan Berisha.
Berisha i ka kërkuar deputetes italiane që partia e saj të jetë një zë i fuqishëm dhe avokate e demokracisë shqiptare në institucionet ndërkombëtare, teksa e cilësoi takimin me të, frytshëm dhe inkurajues.
“Theksuam domosdoshmërinë që Forza Italia të jetë një zë i fuqishëm dhe avokat i demokracisë shqiptare në institucionet ndërkombëtare, duke mbështetur kauzën tonë për rivendosjen e rendit ligjor dhe lirisë së votës në Shqipëri. Demokratët dhe miqtë tanë evropianë janë të bashkuar për të ndalur autokracinë dhe për të rikthyer shpresën e demokracinë në vend. Takimi ishte i frytshëm dhe inkurajues”. (A2 Televizion)