Edhe pak ditë në sallën e Parlamentit do të ulen 140 deputetët që fituan mandatin në zgjedhjet e 11 majit. Ligjvënës me eksperiencë që rinovuan kontratën, 8 rikthime nga ana e opozitës dhe Tom Doshi, si dhe 74 të rinj do të zënë vend për herë të parë në karriget e Kuvendit si të zgjedhur nga listat fituese, një miks mes të zgjedhurve të kryetarëve të partive dhe votës popullore.
54 nga ana e të majtëve, 15 të koalicionit “Shqipëria Madhështore”, 2 deputetë të Tom Doshit dhe nga 1 i zgjedhur për të tre partitë e reja: Shqipëri Bëhet, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë. Edhe pse më shumë se gjysma e deputetëve do ta kryejnë këtë detyrë për herë të parë, nuk kanë ndikuar pozitivisht për të ulur moshën mesatare, pasi Parlamenti i ri do të jetë 47 vjeç.
Mes dy partive kryesore, demokratët janë pak më të vjetër, me një moshë rreth 50 vjeç, sa i përket deputetëve që do të ulen në Kuvend, shkruan A2 CNN. Formacioni tjetër është ai që ul mesataren e përgjithshme, pasi 83 deputetët e Edi Ramës kanë një moshë pak më të madhe se 45 vjeç.
Parlamenti do të ketë deputeten me moshën më të vogël, 24-vjeçaren Marjana Koçeku, dalë nga listat e PS-së në Shkodër, e ndjekur nga Zegjine Çaushi, 27-vjeçarja e socialistëve të Fierit, e cila u bë virale gjatë fushatës me ironizimin ndaj Gazment Bardhit.
Në skajin tjetër dallon Sali Berisha, që pasi ka provuar postin e Presidentit dhe Kryeministrit, me 81 vitet e tij gëzon të drejtën e drejtimit të Parlamentit në çeljen e legjislaturës, si deputeti më i moshuar në sallë. Në rast se Berisha do të refuzojë këtë “privilegj”, stafetën e merr një tjetër mjek demokrat, 76-vjeçari Tritan Shehu, ndërsa kandidati i tretë vjen nga radhët e socialistëve, 68-vjeçari Vasil Llajo.
Shumica e prurjeve të reja në Parlament janë të angazhuar prej vitesh në politikë, ndonëse në nivele të ndryshme, si ministra, ish-kryebashkiakë apo nënkryetarë bashkie, si dhe ish-drejtorë institucionesh. Nuk mungojnë as ata që vijnë nga bota e sipërmarrjes: ekonomistë, juristë, mjekë apo arsimtarë.
Në Parlament ka pasur shpesh përfaqësues nga fusha e medias, por kësaj radhe do të jenë 5 deputetë të cilët kanë mbaruar studimet për gazetari apo edhe kanë punuar në këtë sektor: nga pedagogia në radhët e socialistëve Iris Luarasi, Tedi Blushi i PL-së, Ardit Bido, Erald Kapri apo edhe ministri Arbjan Mazniku. Edhe artistët nuk mungojnë – njëri prej tyre, Ermal Pacaj, ka qenë edhe pjesë e grupit muzikor LRC në Lezhë.
Dy deputetë të zgjedhur kanë vetëm arsim të mesëm: sipërmarrësi socialist Skënder Pashaj dhe Ana Dajko e Nismës "Shqipëria Bëhet", e cila deri më tani gëzon mandatin që Adriatik Lapajt kishte projektuar për vete, sipas marrëveshjes mes kandidatëve të këtij subjekti.
Profilet e deputetëve të rinj do të ndikojnë edhe në vendosjen e tyre në komisionet parlamentare, pasi PS dhe PD kanë hequr nga ekipet e tyre kryetarët dhe nënkryetarët e 4 komisioneve të përhershme, duke nisur nga Ligjet, Veprimtaria Prodhuese, Siguria Kombëtare dhe i Jashtmi. Pjesë e riformatimit do të bëhen edhe dy komisionet e posaçme, të Dezinformimit dhe Antikorrupsionit, nëse do të vijojnë të funksionojnë edhe në shtator në të njëjtën formë, pasi që nga ngritja e tyre janë bojkotuar nga opozita. (A2 Televizion)