Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj, i cili mbeti jashtë garës së 11 majit, në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, renditi disa nga arsyet pse Sali Berisha dhe opozita i humbën këto zgjedhje.
Xhaferaj tha se e kishte lexuar rezultatin përgjatë tre viteve dhe “ndodhi një certifikim i atyre që kam thënë”.
“Ne nuk diskutohet që kemi autoritarizëm konkurrues në Shqipëri. Zgjedhje mbahen dhe janë konkurruese, por siç u shpreh OSBE/ODIHR kemi përdorimin e shtetit në favor të partisë qeverisëse dhe provohet të margjinalizohet opozita. Problemi madhor brenda kësaj është se mazhroanca mori shumë më pak se në 2013. Nuk është se u rrit mazhoranca, por opozita nuk ishte në gjendje të rritej atje ku duhet”, deklaroi Xhaferaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Sipas ligjvënësit të djathtë, problemi madhor i Berishës në këto zgjedhje ishte se dështoi të bashkojë të 4 frontet opozitare që garuan përballë Ramës.
Në optikën e Xhaferajt, Berisha duhet të kishte hyrë në garë në një koalicion me partitë e Lapajt, Shehajt, e Shehit, duke iu ofruar atyre të paktën 8 vende në listat e sigurta dhe duke iu ofruar shqiptarëve shpresë dhe alternativë përballë qeverisjes së konsumuar të së majtës.
“Berisha u rikthye dhe mori mbështetjen e grupit parlamentar bazuar mbi një realizëm politik sepse në ato zgjedhje lokale që dekretoi Ilir Meta në 2022, qartazi doli më mirë se Lulzim Basha. Ne aty nga dëshira për të larguar këtë qeveri pamë që Berisha ishte i fuqishëm, faktori më i fortë opozitar, por që na duhej shumë punë për të bërë për ta mundur Edi Ramën. Kjo u pa edhe në 2023 ku na u tha se edhe pa vulë mblodhëm 500 mijë vota. Por nga këtu buronte që kemi një Berishë të rikthyer me të gjithë kapacitetin për të mobilizuar një pjesë të madhe të PD, por me deficite të mëdha për të mobilizuar të gjithë PD dhe elektoratin gri. Këtu buronte çfarë duhet të bënim. Ishte detyrë e Berishës të garantonte një koalicion të madh opozitar, sepse Edi Rama edhe me një opozitë të ndarë në katër fraksione, 52% ka shkuar në finale. Dhe elektorati shqiptar duhet të shihte negociata pa fund midis Berishës, Shehajt dhe Lapajt, për t’i thënë se këta kërkojnë 5-6 mandate por unë i jap 7-8. Sepse për hir të rotacionit politik unë do i them Flamurit, Albanës dhe gjithë të tjerëve se jeni në listë të hapur. Ky ishte zhvillimi i parë që na ka dëmtuar”, tha Xhaferaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Një tjetër faktor i rëndësishëm që sipas deputetit të PD çoi në humbjen e thellë të 11 majit, ishte mungesa e figurave të reja në listën e mbyllur të tyre. Duke iu referuar Ilir Alimehmetit që ndodhej në studio, por edhe emrave të tjerë nga e djathta, Xhaferaj tha se me ta në listën e sigurtë dhe “veteranët” në të hapur, elektorati gri do të prirej të votonte PD.
“E dyta që na ka dëmtuar është se nuk pamë rotacion brenda forcës politike. Në 70% të saj lista e mbyllur ishte lista e 2013. Kur kjo parit nga 2013 deri në 2025 ka prodhuar flukse. Njëri është në krahun tuaj (referuar Ilir Alimehmetit). Që do ishte shumë mirë që këto flukse të ishin më të përfaqësuar në listën e mbyllur dhe votuesit na e dhanë këtë mesazh. Na e provuan me certifikatë”, nënvizoi Xhaferaj. (A2 Televizion)