Partia Demokratike ka fituar matematikisht qarkun e Lezhës me një diferencë tepër të vogël votash nga Partia Socialiste.
Numërimi i zarfeve të Diasporës u shoqërua me tension në shkallët e Parkut Olimpik, ku grupe të dy partive që përfshinin deputetë dhe vëzhgues të shumtë, mbanin shënim çdo votë për llogari të tyre.
Disa herë pati tension e madje duke shkuar në kufijtë e përplasjes fizike, teksa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja iu drejtua ashpër demokratit Gjin Gjoni duke i thënë se “e ka falur njëherë kur ka shkuar në shtëpinë e Besnik Dervishit”, referuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Ky nuk ishte incidenti i vetëm, pasi demokratët kontestuan disa herë procesin me pretendimin e Gjin Gjonit dhe Jorida Tabakut se dolën më shumë vota në kutitë e fundit se çfarë ishin raportuar fletë votimi nga KQZ.
Në vijim, ishte drejtuesi i PS për Diasporën, Taulant Balla që kontestoi një fletë votimi në stendën e qarkut Lezhë, çka ndezi reagimin e demokratëve në sallë.
Në fund ishin të djathtët ata që gëzuan, teksa numërimi i fletëve të fundit të Diasporës u prit me duartrokitje nga ligjvënësit dhe vëzhguesit e PD në sallë. Urimet për fitoren nuk munguan as nga socialistët, duke pasur një kalim nga “lufta në paqe”.
Edhe pse nuk e mori mandatin në Lezhë, kandidati socialist Admir Kadeli i uroi fitoren me një tortë kundërshtarve të tij Agron Gjekmarkaj e Kastriot Piroli, me këtë të fundit që u rendit i dyti me votë preferenciale nga koalicioni PD-ASHM me 5.632 vota. (A2 Televizion)