Alfred Muharremi, këshilltar bashkiak i Partisë Socialiste, i ftuar në studion e “Off the Record” në A2CNN, deklaroi se Partia Demokratike e la sot protestën pasi eksponentët e saj do të ikin jashtë shteti për pushimet.
“Gjithë puna që neve bëjmë normalisht lë disa të kënaqur, por disa janë të pakënaqur nga ajo që bëjmë, edhe me shumë të drejtë normalisht. Edhe protestat janë elementë që duhet të vendosin në linjë të fortë edhe në reflektim të fortë qeverinë në këtë rast. Por, ajo që mua më shqetëson faktikisht është pse u zgjodh 22 dhjetori, se shumë mirë mund të ishte zgjedhur edhe 31 dhjetori, por ngaqë e kanë mendjen te pushimet. Që nesër këta lëvizin, ikin me pushime se ka mbaruar dhe jeta parlamentare. Ikin me pushime dhe demokratët e shkretë i sjellin aty “mish për top”. Edhe për atë qytetarin më vjen shumë keq që ka pësuar këtë djegie”, u shpreh Muharremi.
“Kështu që, të gëzojmë pushimet se prandaj e bënë në 22 dhjetor protestën se do ikin jashtë. Këta nesër kanë prerë biletat dhe janë të gjithë jashtë shtetit. E mbaruan spektaklin e tyre, e mbaruan protestën kombëtare edhe çliruan demokracinë”, shtoi Muharremi.
Sipas tij, “ka goxha punë që ka bërë qeveria në këto 100 ditë”, por nuk mund të kontrollohet çdo individ që, sipas tij, “lajthit dhe bën korrupsion”.
“Programi i buxhetit të 2026 është një program që shkon edhe më shumë për shtresat në nevojë, sidomos për pensionistët, por edhe për mbulimin e sigurimit të barnave në Onkologjik që ka qenë një problem ndër vete në qeverisjen e e Partisë Socialiste. Gjithmonë vendoset fajtore qeveria në lidhje me korrupsionin. Se lajthis unë dhe bëj korruptim nuk ka si të më kontrollojnë. Dakord, ka organe që do më kontrollojnë. Shtet po bëjmë ne, por në rast se një njeri, dy njerëz, 20 njerëz, 100 njerëz lajthisin dhe bëjnë korrupsion, kjo është ajo që neve na ndan nga çdo lloj force opozitare që pretendon të marrë pushtetin. Është reagimi që ne kemi dhe paanësia dhe jo mbrojtja politike që ne i bëjmë çdo subjekti që vesh logon e Partisë Socialiste”, theksoi zyrtari socialist.
(A2 Televizion)