Sejamini: Protestat e Partisë Demokratike janë partiake, nuk frymëzojnë

Nga A2 CNN
4 Shkurt 2026, 22:36 | Politikë

Gazetari Neritan Sejamini, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se protestat që organizon Partia Demokratike nuk frymëzojnë, pasi janë partiake.

“Të rrëzosh një qeveri është e vështirë dhe qeveritë rrëzohen në rrethana të caktuara, kur përputhen kushte të caktuara ekonomike, sociale dhe politike. Një gjë që mund të them është që protestat janë gjë e mirë. Qeveritë duhen mbajtur gjithmonë nën presion, edhe sikur të mos ketë protesta me qëllim rrëzimin e qeverisë, që qytetarët të protestojnë për problemet që i shqetësojnë, për cilësinë e qeverisjes, për problemet që ka qeverisja. Kjo është një gjë pozitive. Një nga gjërat që mban qeverisjen në qeveri të mirë. Një nga gjërat që garanton demokracinë është përfshirja e qytetarëve dhe protesta është një përfshirje e qytetarëve. Problemi i protestave të Partisë Demokratike është që përgjithësisht ato mbeten protesta partiake, si në pjesëmarrje, ashtu edhe në organizim, po ashtu edhe në temat që trajtojnë. Po të shikosh për shembull të gjitha protestat kanë të njëjtin motiv, madje edhe butaforia është e njëjtë. Kritikon qeverinë, shan qeverinë, por nuk ndezin frymëzim, nuk flasin për një të ardhme, nuk të bëjnë të ëndërrosh, nuk të bëjnë të motivohesh, të kesh energji që të thuash “do bashkohem se mund të arrijmë këtë gjë”. Po të shikosh, sa herë që Partia Demokratike ka fituar zgjedhjet, i ka fituar edhe me mitingje të mëdha e protesta, por kur njerëzit në këto mitingje dhe protesta kanë qenë të ngazëlllyer, kanë qenë të frymëzuar”, tha Sejamini.

“Ky lloj ngazëllimi vjen kur partia arrin të ndikojë qytetarët jashtë anëtarëve të saj. Një parti e madhe si Partia Demokratike ka midis 500 mijë dhe 600 mijë votuesish. Në Tiranë, Partia Demokratike duhet të ketë rreth 100 000 votues. Patjetër që Partia Demokratike duhet të nxjerrë numra më të mëdhenj, por mbi të gjitha duhet të arrijë të nxjerrë qytetarët e Tiranës. Qytetarët duhet të mendojnë se kjo përpjekje nuk është thjesht partiake, por është një përpjekje për të gjithë qytetarët, për një projekt të caktuar, për një qëllim të caktuar, për një ëndërr të caktuar. Mbi të gjitha këto protesta duhet të projektojnë një diçka për të ardhmen. Ndoshta fjala frymëzim është fjalë e madhe. Por, një projekt, një vizion politik për këtë qeverisje të ardhshme”, shtoi Sejamini.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos